Ferit Hoxha: Shqipëria nis përgatitjet për samitin e NATO-s, kemi ngritur task-forcë të posaçme
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, e cilësoi si një moment historik për Shqipërinë vendimin që vendi ynë të presë një nga samitet e ardhshme të NATO-s, duke theksuar se institucionet shqiptare kanë nisur tashmë përgatitjet për organizimin e këtij eventi të nivelit më të lartë.
Duke folur pas përfundimit të Samitit të NATO-s në Ankara, ku mori pjesë së bashku me kryeministrin Edi Rama, Hoxha u ndal te vendimet kryesore të aleancës, duke veçuar angazhimin e vendeve anëtare për rritjen e investimeve në mbrojtje dhe rëndësinë që ka për Shqipërinë organizimi i samitit të ardhshëm.
“Është një moment i veçantë si për aleancën, ashtu edhe për Shqipërinë. Erdhëm në këtë samit me një pozicion të qartë dhe me angazhimin për rritjen e investimeve në mbrojtje. Kjo është pjesë e qasjes së re të NATO-s, e cila synon që deri në vitin 2030 vendet anëtare të investojnë 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në mbrojtje dhe siguri”, u shpreh ministri.
Sipas Hoxhës, objektivi i aleancës është forcimi i mbrojtjes përballë kërcënimeve të reja, duke përfshirë agresionin rus dhe rreziqet hibride.
Ministri theksoi se vendimi për zhvillimin e samitit në Tiranë është rezultat i punës së institucioneve shqiptare dhe një vlerësim për rolin e vendit në NATO.
“Mënyra se si u shpall mbajtja e samitit në Tiranë është fryt i punës së të gjitha institucioneve tona. Është një lajm shumë i mirë dhe një angazhim madhor për vitet në vijim. Është gjithashtu një mundësi për të treguar aftësinë e Shqipërisë për të organizuar aktivitete ndërkombëtare të këtij niveli”, deklaroi ai.
Hoxha bëri të ditur se aleatët do të vijojnë konsultimet për datën përfundimtare të samitit, i cili mund të zhvillohet në vitin 2027 ose 2028.
“Aleatët kanë vendosur të vazhdojnë diskutimet për kohën më të përshtatshme. Samiti mund të mbahet në vitin 2027 ose në vitin pasardhës. Ne do të jemi gati. Kemi nisur përgatitjet dhe kemi ngritur një task-forcë të posaçme, e cila ishte e pranishme edhe në Ankara për të marrë eksperiencë dhe për t’u përgatitur sa më mirë për organizimin e samitit”, përfundoi ministri.







