Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar se samiti i ardhshëm i NATO-s do të zhvillohet në Tiranë, duke e cilësuar këtë një moment të rëndësishëm për Shqipërinë dhe rolin e saj në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Përmes një videoje të publikuar nga Ankara, ku po merr pjesë në samitin e NATO-s së bashku me delegacionin shqiptar, Rama reagoi pas deklaratës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, i cili njoftoi se samiti i radhës do të mbahet në kryeqytetin shqiptar.
“Po si thanë, nuk do të bëhet samiti në Shqipëri? Epo ka ikur ajo kohë kur bëhej çfarë të donin të tjerët në Shqipëri. Tani Shqipëria bën atë që thotë dhe thotë atë që bën. Kështu që samiti i ardhshëm do të jetë në Tiranë”, u shpreh Rama.
Më herët gjatë samitit në Ankara, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, bëri të ditur se Shqipëria do të jetë vendi pritës i takimit të ardhshëm të liderëve të Aleancës.
Organizimi i samitit në Tiranë konsiderohet një zhvillim me rëndësi të veçantë për vendin, duke reflektuar pozicionin e Shqipërisë si një aleate aktive dhe e besueshme në NATO, si dhe angazhimin e saj në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit euroatlantik.