Erdogan u dhuron liderëve të NATO-s pistoleta me emrat e tyre, Starmer: Nuk mund ta çoja në Britani
Një nga momentet më të pazakonta të Samitit të NATO-s në Ankara nuk lidhej me diskutimet për sigurinë, por me dhuratat që presidenti turk Recep Tayyip Erdogan u bëri liderëve të Aleancës.
Sipas mediave europiane, Erdogan i dhuroi secilit prej krerëve të shteteve dhe qeverive një pistoletë me emrin e tyre të gdhendur, të shoqëruar me një kuti fishekësh të vërtetë.
Detajet u zbuluan nga kryeministri britanik Keir Starmer gjatë kthimit nga samiti. Ai tha se nuk mundi ta merrte armën me vete në Mbretërinë e Bashkuar, pasi importimi i saj do të ishte në kundërshtim me legjislacionin britanik.
Si pasojë, pistoleta me emrin e Starmer do të mbetet në Ankara dhe pritet të çaktivizohet, pavarësisht se presidenti Erdogan kishte siguruar një letër personale që lejonte eksportimin e armës nga Turqia.
Starmer e cilësoi dhuratën si një zgjedhje të pazakontë nga presidenti turk. Deri më tani nuk është bërë e ditur nëse edhe liderë të tjerë të NATO-s janë përballur me të njëjtat kufizime për ta transportuar armën në vendet e tyre.
Përveç pistoletës, pjesëmarrësit në samit morën edhe dhurata më tradicionale, mes tyre një kopje luksoze të librit “Politika e guximit: Erdogan dhe ngritja e Turqisë”, si dhe një bllok shënimesh dhe një stilolaps të personalizuar me emrin e secilit lider.







