Ferdinand Dimo merr drejtimin e Akademisë së Forcave të Armatosura, fokus modernizimi sipas standardeve të NATO-s
Ferdinand Dimo ka marrë zyrtarisht drejtimin e Akademia e Forcave të Armatosura, pas dorëzimit të komandës nga Bardhyl Nuredinaj, në një ceremoni ku morën pjesë drejtues të lartë të sigurisë dhe mbrojtjes në vend.
Në aktivitet ishte i pranishëm edhe Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, si dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Arben Kingji, përkrah gjeneralëve, oficerëve, pedagogëve dhe studentëve.
Ceremonia u zhvillua sipas protokollit ushtarak, me ekzekutimin e Himnit Kombëtar dhe leximin e urdhrave përkatës, ndërsa momenti simbolik i dorëzimit të flamurit të komandës shënoi kalimin zyrtar të drejtimit të institucionit.
Në fjalën e tij, ish-komandanti Nuredinaj vlerësoi bashkëpunimin me stafin akademik dhe strukturat e institucionit gjatë mandatit të tij, ndërsa Gjeneral Major Dimo theksoi angazhimin për të vijuar transformimin e Akademisë në përputhje me standardet e NATO.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, vlerësoi kontributin e Nuredinajt në konsolidimin e institucionit, duke theksuar arritje konkrete në fushën akademike dhe infrastrukturore.
“Akreditimi i Akademisë vitin e kaluar përbën një arritje të rëndësishme institucionale, duke dëshmuar standardet dhe cilësinë e punës së bërë nga stafi akademik. Po aq domethënës është edhe progresi për kampusin e ri, i cili do të presë studentët në vitin e ardhshëm akademik”, u shpreh ministri.
Ai theksoi se Akademia e Forcave të Armatosura mbetet një institucion kyç për përgatitjen e oficerëve të rinj dhe zhvillimin e kapaciteteve strategjike të vendit, duke nënvizuar rëndësinë e përshtatjes me sfidat moderne të sigurisë.
“Akademia duhet të jetë qendra ku formohen oficerët e së nesërmes, të aftë për të komanduar dhe për të menduar në mënyrë strategjike. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë modernizimin e arsimit ushtarak, në bashkëpunim me partnerët euroatlantikë, për ta bërë atë plotësisht të ndërveprueshëm me standardet e NATO-s dhe të Bashkimit Europian”, deklaroi Nufi.
Në përfundim, Ministri i Mbrojtjes garantoi mbështetjen e plotë institucionale për vijimin e reformave dhe forcimin e sistemit të arsimit ushtarak, me synim rritjen e kapaciteteve profesionale të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.







