Kreu i Partisë Popullore të Spanjës, Alberto Núñez Feijóo, konfirmoi të martën se po negocion me partinë e ekstremit të djathtë Vox për të siguruar shumicën në Senat pas zgjedhjeve të parakohshme të 29 nëntorit.
Në një intervistë për radion COPE, Feijóo tha se bisedimet synojnë koordinimin e listave zgjedhore dhe shmangien e konkurrencës mes dy partive në zona kyçe.
“Do të vazhdojmë të flasim me Vox me diskrecion dhe respekt. Nëse Vox është në lartësinë e detyrës, edhe Partia Popullore do të jetë”, deklaroi ai.
Feijóo, i cili synon postin e kryeministrit, argumentoi se marrëveshja është e nevojshme për të penguar kontrollin e dhomës së lartë nga socialistët e Pedro Sánchez dhe aleatët e tyre të majtë.
Konfirmimi pason deklaratën e kreut të Vox, Santiago Abascal, i cili të hënën shprehu gatishmërinë për të negociuar me konservatorët.
Abascal tha se opozita duhet të arrijë një marrëveshje për ta mbrojtur Senatin nga paktet mes socialistëve dhe së majtës radikale. Ai akuzoi gjithashtu Sánchez se po përdor presionin dhe dhunën për të ndikuar votimin.
Bisedimet mes Partisë Popullore dhe Vox vijnë ndërsa partitë në të majtë të socialistëve kanë dështuar të bashkohen plotësisht për zgjedhjet e nëntorit.
Podemos ka vendosur të mos përfshihet në listën e përbashkët të “Frontit të Gjerë” në nivel kombëtar, duke pranuar bashkëpunimin vetëm në Ishujt Kanarie dhe në rajonin e Valencias. Sipas POLITICO-s, kjo përçarje vështirëson përpjekjet e Sánchez për të siguruar një mandat tjetër.


