Partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë, AfD, propozon zëvendësimin e Parlamentit Europian të zgjedhur drejtpërdrejt me delegatë të parlamenteve kombëtare, kufizimin e kompetencave të Komisionit Europian dhe përjashtime për Gjermaninë nga politikat e përbashkëta të BE-së.
Propozimet përfshihen në një program politik të siguruar nga POLITICO, të cilin bashkëdrejtuesja e partisë, Alice Weidel, pritet ta prezantojë të mërkurën në Parlamentin Europian, në aktivitetin “Marrëveshja jonë e re për Europën”.
Sipas dokumentit, AfD nuk do të kërkonte fillimisht largimin e Gjermanisë nga BE-ja apo eurozona. Në vend të kësaj, partia synon rinegocimin e traktateve për të reduktuar pushtetin, institucionet dhe buxhetin e bllokut.
Komisioni Europian do të kishte vetëm funksione administrative, ndërsa vendimmarrja do të kalonte te kryeqytetet kombëtare. Partia kërkon gjithashtu zëvendësimin e Gjykatës së Drejtësisë së BE-së me një tribunal arbitrazhi.
Presion përmes kontributeve gjermane
Programi parashikon shkurtimin dhe vendosjen e një tavani për buxhetin europian, ngrirjen e numrit të punonjësve dhe shfuqizimin e agjencive.
AfD thotë se do të përdorte veton për të kundërshtuar financimin e BE-së nga burimet e lidhura me TVSH-në dhe plastikën, si dhe do të kërcënonte me uljen e kontributeve gjermane për të imponuar reformat.
“Nëse Brukseli refuzon rrugën e reformës, kjo veto do të përdoret për të bllokuar legjislacionin e ardhshëm të financimit të BE-së dhe për të reduktuar ndjeshëm kontributet e Gjermanisë”, thuhet në dokument.
Partia kërkon edhe më shumë peshë votuese për ekonomitë e mëdha të eurozonës në Bankën Qendrore Europiane dhe kundërshton euron digjitale.
Përjashtime nga politikat e përbashkëta
Sipas AfD-së, Berlini duhet të kërkojë përjashtime nga rregullat europiane për migracionin, taksat, politikat sociale, mbrojtjen dhe borxhin e përbashkët.
Përjashtime do të kërkoheshin edhe në politikat mjedisore, industriale, bujqësore dhe financiare, nëse partia nuk arrin ndryshimet që synon.
Dokumenti përcakton vitin 2029, kur zhvillohen zgjedhjet europiane dhe ato federale gjermane, si pikënisjen për zbatimin e planit. Nëse përpjekjet për reformim dështojnë, AfD parashikon hedhjen në referendum të anëtarësimit të Gjermanisë në BE.
Propozimet vijnë ndërsa forcat e ekstremit të djathtë kërkojnë të zgjerojnë ndikimin në Europë. Javën e kaluar, Marine Le Pen prezantoi në Bruksel planet e saj për përgjysmimin e kontributit francez në buxhetin europian dhe kthimin e Komisionit në një “sekretariat” në shërbim të vendeve anëtare, nëse zgjidhet presidente e Francës.


