×
Friday, May 1, 2026

Erdogan dhe Mitsotakis ulin tensionet përballë konfliktit ruso-ukrainas 

March 14, 2022


Domosdoshmëria për të ulur tensionin midis Greqisë dhe Turqisë dhe për të mbështetur stabilitetin në Mesdheun Lindor, në hijen e luftës në Ukrainë, ishte mirëkuptimi i përbashkët në takimin mes kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis dhe presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan në Turqi.

Presidenti turk priti kryeministrin grek në rezidencën presidenciale ”Vahdettin Mansion”, ku u takuan privatisht.

Burime qeveritare thanë se të dy liderët biseduan në një atmosferë shumë të përzemërt duke u takuar si aleatë që po përballen me sfida të sigurisë për shkak të zhvillimeve politike pas luftës në Ukrainë.

Ata ranë dakord për përmirësimin e komunikimit në të gjitha nivelet.

Sipas burimeve, Mitsotakis ka rënë dakord për mbajtjen e një takimi Greqi-Turqi për masat e ndërtimit të besimit në prill, për sa kohë që nuk ka përshkallëzim tensioni.

Udhëheqësit grekë dhe turq ranë dakord gjithashtu për të mbajtur Këshillin e 5-të të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë në Greqi këtë vjeshtë.

”Mitsotakis dhe Erdogan përsëritën secili qëndrimin e tyre të vendosur për çështjet dypalëshe, por pavarësisht mosmarrëveshjeve, të dy vendosën të theksojnë axhendën pozitive dhe bashkëpunimin ekonomik të vendeve të tyre”, thanë burimet.

Një burim i nivelit të lartë e pa takimin si një themel për një epokë më të mirë midis marrëdhënieve të dy vendeve.

”Të dy liderët ranë dakord gjithashtu për të koordinuar veprimet drejt hapjes së korridoreve humanitare në Ukrainë”, thanë burimet.




Comments are closed.