Gazeta prestigjioze spanjolle “El País” i ka kushtuar një profil të gjatë kryeministrit Edi Rama, duke u ndalur te ndërthurja mes karrierës së tij politike dhe pasionit për artin, të cilin ai nuk e ka braktisur as gjatë viteve në krye të qeverisë.
Artikulli merr shkas nga ekspozita “Chrysalizing” në Berlin, ku Rama ka prezantuar një seri skulpturash në bronz. Veprat burojnë nga pikturat e tij të mëparshme, të cilat transformohen fillimisht në modele digjitale me ndihmën e inteligjencës artificiale, më pas realizohen përmes printimit 3D dhe përpunohen me dorë.
Në intervistë, Rama e përshkruan artin si një mënyrë për t’u shkëputur nga presioni i politikës.
“Arti është një përpjekje për të mos u çmendur, sepse politika mund të jetë një çmenduri. Dhe rreziku për t’u budallallepsur është i menjëhershëm kur merresh me politikë”, shprehet ai.
“El País” rikthen edhe vitet e formimit të Ramës në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë gjatë regjimit komunist. Kryeministri kujton se shkolla kishte një formim profesional të fortë, por mungonte liria artistike dhe realizmi socialist ishte praktikisht e vetmja formë arti e lejuar.
Rama rrëfen se dëshira për të parë nga afër artin perëndimor ishte edhe një prej arsyeve që iu përkushtua basketbollit. Si pjesë e ekipit kombëtar, sporti i jepte një nga mundësitë e pakta për të udhëtuar jashtë Shqipërisë. Në vitin 1989, gjatë një udhëtimi në Gjermani, ai pa për herë të parë nga afër vepra të Rodin dhe Picasso-s, një përvojë që e përshkruan si jashtëzakonisht intensive.
Pas rënies së komunizmit, Rama u zhvendos në Paris, ndërsa në vitin 1998 iu bashkua qeverisë shqiptare si ministër i Kulturës. Për të, politika në thelb mbetet një mënyrë për të realizuar ndryshimin.
“Duhet të bësh që gjërat të ndodhin, jo me bojë, as me piano, por me njerëz. Dhe kjo është shumë e vështirë. Është një luftë për të sjellë ndryshim”, thotë ai.
Gazeta spanjolle ndalet gjerësisht edhe te periudha kur Rama drejtoi Bashkinë e Tiranës dhe nisma e tij për të lyer me ngjyra të forta fasadat e ndërtesave të periudhës komuniste. Rama argumenton se ndërhyrjet estetike ndikuan edhe në raportin e qytetarëve me hapësirën publike.
“Mësova se bukuria dhe pastërtia janë më imponuese se policia”, shprehet kryeministri.
Në vitin 2013 Rama mori drejtimin e qeverisë, por vazhdoi paralelisht aktivitetin artistik. Ai tregon se një pjesë të vizatimeve i realizon gjatë mbledhjeve dhe angazhimeve zyrtare, duke e konsideruar krijimtarinë një formë “detoksifikimi” nga politika.
“E bëj sepse më bën të ndihem mirë. Është një mënyrë për t’u detoksifikuar, për të holluar helmin e politikës”, thotë Rama.
Në intervistë ai flet edhe për raportin mes artit dhe politikës, duke kundërshtuar përdorimin e artit si instrument për të gjykuar konfliktet politike ndërkombëtare.
“Qëllimi i artit nuk është të ndryshojë botën. Ai duhet të ndryshojë këndvështrimin e njerëzve dhe të krijojë një hapësirë ku ata të mund të përpunojnë idetë e tyre”, shprehet Rama.
Kryeministri ndalet edhe te shitja e veprave të tij, duke thënë se nuk ua shet ato shqiptarëve apo personave që kanë interesa biznesi në Shqipëri. Sipas tij, blerësit kontrollohen paraprakisht për të shmangur çdo lidhje me funksionin e tij qeveritar.
“El País” e mbyll profilin me një episod nga zyra e Ramës, muret e së cilës janë të mbuluara me krijimet e tij. Kryeministri tregon se një udhëheqës i huaj, emrin e të cilit nuk e zbulon, kishte menduar se ambienti ishte një hapësirë për fëmijët e punonjësve.
“Ju jeni një njeri i çuditshëm, Edi Rama”, i kishte thënë ai.
Përgjigjja e Ramës ishte: “Jo, i vetmi fëmijë këtu jam unë”.


