×
Saturday, July 11, 2020

Ekspozitë për 100-vjetorin e themelimit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë

July 11, 2020

Ekspozita me temë “Jehona e krijimit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë në shtypin e kohës” është hapur në Tiranë me rastin e 100-vjetorit të themelimit të këtij institucioni.

Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së ekspozitës që organizohet nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë ishin drejtues të institucioneve kulturore të vendit, studiues dhe studentë.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, gjatë fjalës në aktivitet duke folur edhe për rëndësinë e ekspozitës tha se po mundohen ta rikthejnë vëmendjen tek libri i shkruar.

“Ajo që gjithmonë kam menduar për institucione të tilla kaq të vyera për të përcjellë brez pas brezi identitetin kulturor shqiptar është një mision i cili nuk mund të ngelë vetëm në dorën e shtetit ose të institucioneve publike. Kjo e sotmja (ekspozita) në fakt është një mënyrë për të rihapur përsëri rrathë komunikimi me komunitetin, me publikun e gjerë brenda dhe jashtë Shqipërisë sepse është shumë e rëndësishme sidomos kur flasim për librin, për memorien e shkruar, të jemi të gjithë bashkë”, tha Margariti.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Piro Misha, theksoi se institucioni që ai drejton ka nevojë për vëmendje.

“Është një ditë e veçantë. 10 korriku është dita kur u hodhën themelet e Bibliotekës Kombëtare. Është e rëndësishme të kujtojmë që është institucioni i parë qendror kulturor i shtetit të ri shqiptar. Është një nga vendimet e para të Kongresit të Lushnjës për krijimin e Bibliotekës Kombëtare”, u shpreh Misha.

Në ekspozitën që do të qëndrojë e hapur për disa ditë në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar ekspozohen materiale të shtypit të 100 viteve më parë që flasin mbi themelimin e Bibliotekës Kombëtare si institucion.

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë mban për datë të themelimit të saj 10 korrikun e vitit 1920.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për