Edi Rama: Raporti i SIGMA/OECD vlerëson pozitivisht Agjencinë për Media dhe Informim
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në platformën X lidhur me raportin e SIGMA/OECD për koordinimin e komunikimit qeveritar.
Në reagimin e tij, Rama thekson se Agjencia për Media dhe Informim (MIA) ka marrë një vlerësim pozitiv nga ky raport ndërkombëtar, duke kundërshtuar kritikat e mëparshme ndaj këtij institucioni.
Sipas tij, agjencia është sulmuar dhe kritikuar në mënyrë të vazhdueshme, por raporti i fundit tregon një realitet ndryshe nga perceptimet e krijuara.
“Deri dje e bombarduan dhe përbaltën nga të katër anët… Por ja që e vërteta qenkesh ndryshe, shumë ndryshe,” u shpreh Edi Rama, duke shtuar se MIA rezulton të jetë në shërbim cilësor të mediave dhe publikut.
Ai theksoi se ky vlerësim nuk vjen nga qeveria, por nga një burim ndërkombëtar me reputacion, i cili bazohet në analiza profesionale dhe vlerësime objektive.
Në fund të reagimit, Rama përgëzoi stafin e Agjencisë për Media dhe Informim për këtë arritje, duke e cilësuar si një vlerësim të merituar dhe duke theksuar se “e vërteta vonon, por nuk harron”.







