×
Thursday, April 30, 2026

Enea Karakaçi inspekton investimet në Golem, dyfishohet kapaciteti i nënstacionit elektrik dhe forcohet furnizimi në zonat turistike

April 30, 2026


Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka inspektuar investimet në nënstacionin elektrik të Golemit, pjesë e planit të masave për forcimin e furnizimit me energji në zonat turistike dhe bregdetare.

Sipas ministrit, nënstacioni i ri ka dyfishuar kapacitetin nga 31.5 në 80 megavat, duke krijuar një zgjidhje afatgjatë për furnizimin me energji për rreth 50 mijë banorë në zonën e Golemit dhe Malit të Robit.

Karakaçi theksoi se ky investim është pjesë e një programi më të gjerë të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes për vitin 2026, që synon modernizimin e infrastrukturës energjetike në të gjithë bregdetin shqiptar, në kushtet e rritjes së kërkesës gjatë sezonit turistik.

Nga ana e tij, drejtuesi i OSSH-së, Bendian Dalipi, bëri të ditur se nënstacioni i Golemit mbulon furnizimin e gjithë vijës bregdetare nga Golemi deri në Qerret dhe është një element kyç për përballimin e zhvillimit urban dhe rritjes së konsumit të energjisë në zonë.

Ai shtoi se paralelisht po vijojnë investimet në rrjet, përfshirë fuqizimin e nënstacionit të Porto Romanos, ku pritet të shtohet një transformator i dytë dhe kapaciteti të rritet nga 50 në 100 megavat.

Po ashtu, në zonën e plazhit të Golemit po realizohet zëvendësimi i rrjetit ekzistues 6 kV me kabina të reja 20 kV dhe linja të reja shpërndarjeje, me qëllim rritjen e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit.

Ministri Karakaçi u shpreh se këto ndërhyrje janë të rëndësishme jo vetëm për uljen e humbjeve në rrjet, por edhe për garantimin e një furnizimi më të qëndrueshëm për banorët dhe bizneset, sidomos gjatë periudhës së pikut turistik.

Ai shtoi se investimet në rrjetin e tensionit të mesëm po shoqërohen edhe me ndërhyrje në rrjetin e tensionit të ulët, me synim minimizimin e defekteve dhe ndërprerjeve.

Sipas ministrit, edhe në zonën e Spillesë ka përfunduar faza e parë e investimeve, ndërsa pritet vijimi i punimeve për zgjidhjen e problematikave të mbetura.

“Të gjitha këto projekte janë pjesë e një plani të integruar që synon stabilizimin afatgjatë të furnizimit me energji në zonat bregdetare dhe mbështetjen e zhvillimit të turizmit,” u shpreh Karakaçi.

Nga ana tjetër, OSSH njoftoi se është duke u përmirësuar edhe menaxhimi i rrjetit në bashkëpunim me OST, ndërsa gjatë sezonit veror do të rritet edhe numri i personelit në terren për reagim më të shpejtë ndaj defekteve.

“Sezoni turistik këtë vit na gjen më të përgatitur dhe me kushte më të mira teknike dhe organizative,” deklaroi Dalipi.




Comments are closed.