Fatih Birol paralajmëron: Bota përballet me krizën më të rëndë energjetike në histori
Bota po përballet me një sfidë të madhe energjetike dhe ekonomike, në një kohë kur tensionet dhe konfliktet në Lindjen e Mesme kanë tronditur furnizimin global me energji dhe kanë ndikuar drejtpërdrejt në ekonominë botërore.
Paralajmërimi vjen nga drejtori i International Energy Agency (IEA), Fatih Birol.
Duke folur në një konferencë në Paris, e fokusuar ndër të tjera te energjitë e rinovueshme, Birol theksoi se zhvillimet aktuale konfirmojnë shqetësimet e kahershme të institucionit që ai drejton, duke nxjerrë në pah dobësitë strukturore të tregjeve globale të energjisë.
“Bota po përballet me krizën më të rëndë energjetike në historinë e saj,” u shpreh Fatih Birol, duke paralajmëruar se tregjet e naftës dhe gazit mund të përballen me vështirësi serioze në periudhën në vijim.
Sipas tij, kriza është rezultat i ndërprerjeve në zinxhirët e furnizimit dhe rritjes së pasigurisë në rajonet kryesore prodhuese të energjisë, veçanërisht për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme.
Ekspertët theksojnë se pasojat mund të shtrihen përtej sektorit energjetik, duke ndikuar në rritjen e inflacionit, ngadalësimin e ekonomisë dhe cenimin e stabilitetit financiar në shumë vende.
Rritja e çmimeve të energjisë pritet të rëndojë mbi konsumatorët dhe bizneset, duke e bërë më të vështirë rimëkëmbjen ekonomike globale.
Në këtë kontekst, Fatih Birol nënvizoi rëndësinë e përshpejtimit të investimeve në energjitë e rinovueshme dhe diversifikimin e burimeve energjetike, si rruga kryesore për të garantuar siguri afatgjatë dhe për të përballuar kriza të ngjashme në të ardhmen.







