×
E hënë, 26 Tetor, 2020

Edhe pse u dëmtua ekonomia, masat e izolimit shpëtuan miliona njerëz

17 Qershor, 2020

Teksa shumë vende në botë kanë filluar të rihapin ekonomitë e tyre, pas masave të izolimit për shkak të koronavirusit, një hulumtim i ri shkencor, që u publikua, tha se masat e izolimit patën ndikim të mirë, duke shpëtuar miliona jetë njerëzish.

Kritikët vazhdojnë të thonë se masat e rrepta të izolimit kanë edhe rreziqet e tyre shëndetësore, nga pjesa e mungesës së aftësisë për të trajtuar pacientët me sëmundje të tjera deri te vetëvrasjet, dhuna në familje, papunësia, varfëria dhe kequshqyerja.

Disavantazhet e tjera të masave të izolimit ndaj koronavirusit përfshijnë pabarazinë ekonomike, arsimin e ndërprerë dhe minimin e besimit të publikut në të ardhmen. Në të vërtetë, janë duke u zhvilluar disa debate rreth asaj se sa shpejtë duhet të hiqen kufizimet për të lehtësuar dëshpërimin ekonomik në të gjithë botën, i cili ka bërë që dhjetëra miliona të luftojnë për mbijetesë.

Studimet e fundit nga Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara ranë në përfundim se masat e kufizimeve ndaj koronavirusit gjatë përhapjes fillestare të sëmundjes Covid-19, ishin gjëja e duhur për të bërë në drejtim të asaj për të shpëtuar jetë njerëzish dhe për të mbrojtur shëndetit publik.

Një studim i botuar në revistën Nature nga studiuesit në Imperial College London, vlerëson se masat kufizuese deri më 4 maj kanë parandaluar tre milionë vdekje në 11 vende evropiane përfshirë: Italinë, Spanjën, Francën, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar, Belgjikën, Austrinë, Danimarkën, Norvegjinë, Zvicrën dhe Suedinë.

Ky është një studim tjetër i udhëhequr nga studiuesit në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, i cili ekzaminoi “ndërhyrjet jofarmaceutike”, në Kinë, Iran, Kore të Jugut, Itali, Francë dhe Shtete të Bashkuara.

Gjithashtu në Nature është botuar edhe një studim i cili flet për arritjen në përfundimin se kufizimet e shëndetit publik në gjashtë vende kanë “parandaluar ose vonuar 62 milionë raste të konfirmuara, që korrespondojnë me parandalimin afro 530 milionë infeksioneve totale”.

Solomon Hsiang, autori kryesor i këtij studimi, tha se veprimet globale për të ndaluar përhapjen e virusit “kanë shpëtuar shumë jetë, në një periudhë të shkurtër kohore, si kurrë më parë”.

“Në mungesë të veprimeve të politikave, ne vlerësojmë se rastet e hershme me Covid-19 shfaqin rritje prej afro 38 për qind në ditë. Politika kundër ngritjes (së numrit të rasteve të reja) e kanë ngadalësuar ndjeshëm dhe në mënyrë thelbësore këtë ngritje”.

“Disa politika kanë ndikime të ndryshme në popuj të ndryshëm, por ne kemi marrë prova nga politikat të cilat tani po arrijnë rezultate të mëdha dhe të dobishme për shëndetin”, thuhet në studimin e publikuar.

Të panjohurat e COVID-19: Pesë gjëra që ende nuk i kuptojmë

No media source currently available0:000:04:140:00 Linku direkt 

Presidenti iranian, Hassan Rohani ka thënë se nga 13 qershori masat e rrepta do të vendosen përsëri, nëse qytetarët vazhdojnë të mos i binden rregullave të shëndetit publik.

Pas zbutjes graduale të masave, në mes të prillit, Irani javët e fundit ka pasur rritje të infeksioneve të reja, gjithashtu edhe vdekje –shifra këto të ngjashme me ato të prillit.

Në një fjalim televiziv më 13 qershor, Rohani fajësoi udhëtarët, të cilët sipas tij, po përhapin koronavirusin, në provincat me rrezik të ulët.

Ai shprehu shqetësim për lutjet masive që po mbahen në faltoren “Imam Reza” e cila është rihapur kohëve të fundit, kompleksi fetar më i madhi i myslimanëve shiitë në Iran, që gjendet në pjesën verilindore të vendit.

“Nëse nuk ka bashkëpunim, ne do të rikthejmë kufizimet”, tha Rohani duke shtuar se respektimi i masave ishte i nevojshëm “për t’i mbajtur bizneset hapur”.

Përgjigja e Suedisë karshi koronavirusit gjatë muajve mars dhe prill u konsiderua si eksperiment për të shmangur masat e rrepta të izolimit dhe mbylljen e bizneseve.

Por, vendi më i populluar i Evropës Veriore përjetoi një numër të madh të vdekjeve dhe infeksioneve me koronavirus, duke qenë vendi që ka kontrolluar më së keqi koronavirusin, në krahasim me vendet e tjera skandinave.

Anders Tegnell, epidemiologu që ka hartuar qasjen e butë të Suedisë kundër koronavirusit, ka qenë fillimisht kritik ndaj masave të ashpra që kanë zbatuar shtetet evropiane kundër sëmundjes Covid-19, që shkakton ky virus.

Por, më 3 qershor Tegnell në një intervistë për Sveriges Radio e pranoi se qasja e tij ishte gabuar dhe së shumë suedezë kishin vdekur nga Covid-19.A është duke ardhur vala e dytë?

Shqetësimi më i madh në shumë ekonomi që janë rihapur, është se një valë e dytë e pandemisë mund të përhapet në muajt në vazhdim, para se të zbulohet dhe shpërndahet vaksina – dhe kjo gjë mund të kthejë masat e rrepta të izolimit.

“Pretendimet se (virusi) ka marrë fund, mund të kundërshtohen plotësisht,” tha Seth Flaxman, studiues në Imperial College në Londër.

“Ne jemi në fillim të kësaj pandemie”, tha Flaxman.

Studiuesit thonë se ekziston rreziku i një vale të dytë, e cila mund të vijë gjatë verës ose në fillim të vjeshtës, teksa masat kufizuese vazhdojnë të hiqen.

Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), me bazë në Paris, thotë se perspektiva globale gjatë vitit është shumë “e pasigurt” në mes të një pandemie që “ka shkaktuar recensionin më të rëndë ekonomik në gati një shekull dhe po vazhdon të shkaktojë dëme të mëdha për shëndetin, punën dhe mirëqenien e njerëzve”.

Si rezultat i asaj pasigurie, parashikimi i fundit ekonomik nga kjo organizatë thotë se “dy skenarë janë të mundshëm –njëri është që vala e dytë e infeksioneve, duke rikthyer masat e izolimit, do të godasë para fundit të vitit 2020, dhe një në të cilën shmanget një tjetër shpërthim i madh”.

Shumë ekspertë thonë se masat e kundër koronavirusit dhe distancimi fizik nuk duhet të konsiderohen si një ndërprerës i cili ndizet dhe fiket, por më tepër si një sinjal i cili mund të bëhet më i fortë ose më i dobët.

“Është e pamundur të parashikosh me një shkallë të sigurisë së lartë se çfarë do të ndodhë,” tha për Zërin e Amerikës, eksperti kryesor i SHBA-së për sëmundje ngjitëse, Anthnony Fauci, në lidhje me pyetjen se a do të ketë valë të dytë.

“E vetmja gjë që dimë se do të ndodhë është se do të ketë infeksione në mesin e të varfërve si dhe gjatë dimrit. Ne e dimë se ky virus është aq i transmetueshëm sa që nuk do të zhduket spontanisht nga planeti”, tha Fauci.

Anthony Fauci gjatë një konference të përbashkët për media me presidentin amerikan, Donald Trump. Foto nga arkivi.
Anthony Fauci gjatë një konference të përbashkët për media me presidentin amerikan, Donald Trump. Foto nga arkivi.

“Ne jemi plotësisht të varur nga aftësia dhe efektiviteti ynë që të jemi në gjendje t’i identifikojmë, izolojmë dhe gjurmojmë kontaktet për rastet e reja. Nëse e bëjmë një gjë të tillë, mund të parandalojmë valën e dytë. Nuk është e pashmangshme që do të kemi një valë të dytë. Ne mund ta parandalojmë atë nëse bëjmë gjënë e duhur”, u shpreh Fauci.

Në pyetjen se nëse do të ketë shpërthim të rasteve të reja me Covid-19 në disa shtete amerikane që kanë dalë nga izolimi, Fauci tha “nuk mund të thoni se një madhësi i përshtatet të gjithave”.

“Duhet të keni kujdes që të mos i kategorizoni të gjitha shtetet e SHBA-së në mënyrë njëdimensionale”, tha Fauci për Zërin e Amerikës.

“Është një vend shumë i madh dhe shtetet, rajonet, qytetet dhe qarqet e ndryshme kanë nivele të ndryshme të infeksioneve”, tha Fauci.

“Nëse jeni në një qark ose në një zonë që ka shumë pak të infektuar, mund të ndjeheni mirë kur përpiqeni të normalizoni dhe zvogëloni masat. Nëse ndodh që të jeni në një zonë ku ekzistojnë të infektuar aktivë, nuk do të ishte e mençur të provoni dhe të shpejtoni uljen dhe zbutjen e masave”.

“Rekomandimi im ka qenë gjithmonë se duhet të jesh vërtet i kujdesshëm për të shmangur vendet e mbushura me njerëz. Nëse e bëni atë, të cilën nuk ju rekomandoj ta bëni …. Por nëse e bëni, duhet të siguroheni që të vendosni një maskë dhe të mbani një maskë gjatë gjithë kohës” në publik, tha doktori amerikan.

“Rekomandimi im ishte gjithmonë se duhet të jemi vërtetë të kujdesshëm dhe të shmangim vendet e mbushura me njerëz. Nëse e bëni një gjë të tillë, pra të dilni në vende ku ka shumë njerëz, të cilët nuk ju rekomandoj ta bëni, por nëse e bëni, duhet të siguroheni që të vendosni maskën gjatë gjithë kohës”, përfundoi Fauci.

Zbutja e masave dhe përcaktimi i kufizimeve

Armenia është shembull i një vendi që doli nga izolimi relativisht shpejt, por është detyruar të përshtatet me një shpërthim të ri të sëmundjes.

Vendi për herë të parë hyri në gjendje të jashtëzakonshme më 16 mars. Pastaj, filloi gradualisht me hapjen e ekonomisë në mes të prillit, pas vetëm disa javësh në izolim, përderisa numri i infeksioneve në vend ishte ende në rritje.

Më 4 maj, me vetëm 1,400 raste të konfirmuara aktive me Covid-19 në Armeni, qeveria lëshoi lejen që restorantet të shërbenin jashtë. Brenda një jave, shumica e dyqaneve u lejuan të rihapeshin përveç qendrave tregtare. Të gjitha fabrikat u hapën, edhe sallonet e bukurisë dhe floktarët.

Ministri i Shëndetësisë së Armenisë, Arsen Torosian në fillim të pandemisë në këtë shtet, paralajmëroi se numri i personave të infektuar me koronavirus së shpejti mund të tejkalojë kapacitetin e spitaleve të Armenisë, për të trajtuar të gjithë pacientët.

Në një intervistë për REL, Torosian tha se “rastet e rënda duhet të trajtohen nga zyrtarët shëndetësorë me përparësi sepse spitalet armene kanë aftësi të trajtojnë vetëm 3,000 deri në 4,000 pacientë me koronavirus”.

Deri më 6 qershor, kur numri i infeksioneve në vend kishte arritur në 12,000 –duke përfshirë gati 250 vdekje –kryeministri Nikol Pashinian tha se ai kishte detyrim të zbulonte të vërtetën e hidhur.

Edhe pse zyrtarët shëndetësorë kishin filluar të përdorin një kompleks sportiv, për të zgjeruar vendin për trajtimin e personave të prekur me Covid-19 për shkak të mungesës së shtretërve në spital, shpërthimi i virusit prapë kishte zmbrapsur sistemin shëndetësor dhe kishte kaluar aftësinë e Armenisë për t’u kujdesur për të gjithë pacientët e infektuar.

Më pas, më 12 qershor qeveria e Pashinianit miratoi zgjatjen për herë të tretë të gjendjes së jashtëzakonshme –e cila do të zgjasë deri më 13 korrik.

“Situata jonë me përhapjen e koronavirusit është e keqe, duhet të jem i sinqertë, jam i mërzitur me këto shifra,” tha Pashinian.

Pashinian, i cili së bashku me gruan dhe tre fëmijët e tij u infektuan nga koronavirusi dhe më pas u shëruan, tha se ai kishte udhëtuar me makinë për në zyrën e tij më 13 qershor dhe se kishte parë që “njerëzit vazhdojnë të shkelin rregullat e sigurisë epidemiologjike”.

Tani, armenëve po u kërkohet që të vendosin maskat në të gjitha vendet publike.

Takimet në mes të pesë ose më shumë personave, përfshirë ngjarjet familjare, janë të ndaluara dhe qeveria mund të mbyllë bizneset të cilat nuk ndjekin rregullat e rrepta të higjienës dhe distancimit fizik.

Zyrtarët armenë, kanë vendosur nën karantinë komunitete në të cilat ka pasur shpërthim të rasteve të reja me koronavirus.

Ende shumica e bizneseve armene mbeten të hapura, transporti publik po punon dhe fëmijët e vegjël janë duke vijuar mësimin parashkollor.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për