Lëvizja Evropa Tani (PES), partia e kryeministrit malazez Milojko Spajiç, i ka kërkuar Parlamentit të hetojë lidhjet e televizioneve me mbulim kombëtar me kompanitë serbe M-tel, Alta Bank dhe Alta Pay Group, mes dyshimeve për ndikim politik nga Beogradi.
Kërkesa përfshin shqyrtimin e marrëdhënieve financiare, pronësore dhe tregtare, për të verifikuar nëse ato janë përdorur për të ndikuar në raportimin mediatik, opinionin publik dhe zhvillimet politike në Mal të Zi.
Nisma vjen pas paralajmërimeve të Spajiçit për një operacion të mundshëm të koordinuar nga jashtë, që, sipas tij, synon destabilizimin e vendit dhe pengimin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Zhvillimet aktuale në vend dhe në rajon konfirmojnë seriozitetin dhe cilësinë e informacioneve që kanë shërbimet tona dhe ato partnere të sigurisë, për të cilat paralajmërova në fund të gushtit”, shkroi kryeministri të dielën në rrjetin social X.
Spajiç kërkoi që institucionet, përmes veprimeve të mbështetura në fakte, të sqarojnë se kush ka mbrojtur interesat shtetërore dhe kush, sipas tij, është mbështetur te qendra joformale pushteti në vende të tjera për të cenuar stabilitetin dhe rrugën europiane të Malit të Zi.
Kompanitë që përfshihen në kërkesën për hetim
M-tel operon në Mal të Zi që prej vitit 2007 dhe ofron shërbime telefonie, interneti dhe televizioni. Kompania është pjesë e Telekom Srbija, ku shteti serb zotëron 58,11% të aksioneve.
Grupi Alta lidhet me biznesmenin serb Davor Macura, të cilit më 14 tetor iu ndalua hyrja në Mal të Zi, pas mbërritjes në aeroportin e Podgoricës.
Vëmendja ndaj këtij grupi është shtuar edhe pas vendimit të Bankës Kombëtare të Serbisë, më 30 tetor, për t’i hequr licencën Alta Bank, për shkak të përkeqësimit të gjendjes financiare dhe rrezikut për likuiditetin. Administrimi i bankës iu kalua Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.
Pas këtij vendimi, Banka Qendrore e Malit të Zi sqaroi se Alta Bank nuk ka licencë për aktivitet bankar në vend dhe se zhvillimet në Serbi nuk rrezikojnë sistemin bankar malazez.
Në Podgoricë operon Alta Pay Group, e licencuar që prej janarit 2024 për shërbime pagesash dhe transferta parash. Autoritetet malazeze po verifikojnë nëse kompania vazhdon të përmbushë kërkesat ligjore për ushtrimin e aktivitetit.
Paralajmërimi i gushtit
Më 27 gusht, Spajiç deklaroi se shërbimet e sigurisë kishin informacione për një operacion të mundshëm kundër Malit të Zi. Sipas tij, në këtë veprimtari mund të përfshiheshin zyrtarë nga të paktën dy vende të rajonit, si dhe aktorë politikë e mediatikë brenda vendit.
Kërkesa e PES synon të sqarojë përmes hetimit parlamentar nëse marrëdhëniet mes kompanive dhe televizioneve janë përdorur për ndërhyrje politike. Pretendimet për ndikim të paligjshëm mbeten për t’u verifikuar.


