Diaspora/ Muharrem Salihu i vetmi shqiptar i ftuar në pritjen zyrtare për zgjedhjen e Papa Leoni XIV

25 Jun 2025 13:39
Shpërndaje:

Në pritjen e nivelit të lartë diplomatik, të organizuar nga Nunciatura Apostolike në Itali me rastin e zgjedhjes së Papa Leoni XIV si kreu i ri i Kishës Katolike, mes të ftuarve të veçantë ishte edhe Muharrem Salihu, biznesmeni me prejardhje nga Medvegja, i cili jeton në Itali dhe ka qenë ish-kandidat për Parlamentin Europian.

Ftesa zyrtare për këtë ceremoni u dërgua personalisht nga Imzot Petar Rajiç, Nunc Apostolik dhe Dekan i Trupit Diplomatik të akredituar në Itali.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues diplomatikë nga vende të ndryshme të botës, përfshirë rajonin e Ballkanit, ndërsa pjesëmarrja e aktivistit politik Muharrem Salihu në këtë rreth të ngushtë përfaqësuesish nënvizon vlerësimin për angazhimin e tij në çështjet ndërkombëtare, ndërfetare dhe përfaqësuese.

Reklamë Ola

Në një postim në rrjetet sociale, Salihu u shpreh:

“Ishte një nder i madh të merrja pjesë në një pritje të veçantë në Nunciaturën Apostolike, me rastin e zgjedhjes së Papës së ri, Papa Leoni XIV. Në këtë ambient të jashtëzakonshëm, pata gjithashtu privilegjin të pritesha nga Shkëlqesia e Tij, Imzot Petar Rajiç, i cili në rolin e tij si Dekan përfaqëson Trupin Diplomatik pranë Italisë dhe San Marinos, duke promovuar dialogun ndërmjet kombeve dhe vlerat e diplomacisë shumëpalëshe.”

Reklamë InterMedika

Pjesëmarrja e Salihut në këtë ceremoni ndërkombëtare vlerësohet si një akt i rëndësishëm për përfaqësimin e shqiptarëve, veçanërisht të atyre në Serbi, në tryezat ndërkombëtare. Ai përçon një mesazh të qartë: shqiptarët janë pjesë aktive e dialogut për paqen dhe bashkëjetesën mes popujve dhe feve në botë.