Dhuka: Shqipëria në fazën finale të rrugës drejt BE-së
Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian zhvilloi sot një takim me temë “Shqipëria – në fazën e fundit të Rrugës Europiane”, ku u diskutua dhe u miratua edhe raporti vjetor për vitin 2025 si dhe plani i aktiviteteve për vitin 2026.
Në fjalën e saj, ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja, Majlinda Dhuka, e cilësoi momentin aktual si një fazë kyçe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, pas hapjes së negociatave për anëtarësim.
Dhuka vlerësoi progresin e institucioneve shqiptare, duke përmendur rolin e Kuvendit, qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë si SPAK, GJKKO dhe Prokuroria e Përgjithshme në forcimin e shtetit ligjor.
Sipas saj, vendi ka hyrë në një fazë më të avancuar dhe më kërkuese, që lidhet me përgatitjet për mbylljen e negociatave për 33 kapitujt e anëtarësimit.
“Hapja e negociatave për anëtarësim është një shprehje e qartë e vullnetit politik të Bashkimit Europian dhe vendeve anëtare ndaj Shqipërisë”, u shpreh Dhuka.
Ajo theksoi se kjo fazë synon ndërtimin e institucioneve me standarde europiane, forcimin e drejtësisë dhe zhvillimin e ekonomisë sipas modelit të tregut të BE-së, si dhe garantimin e të drejtave sipas standardeve sociale europiane.
Dhuka nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rolin e shoqërisë civile në këtë proces, duke e cilësuar atë si një faktor kyç për transformimin e vendit.
Ajo e konsideroi hapjen e të gjithë grupkapitujve brenda 13 muajve si një arritje të rëndësishme kombëtare, që dëshmon kalimin e Shqipërisë nga faza e aspiratës në ndërtimin konkret të standardeve europiane.
“Kjo është faza ku Shqipëria duhet të provojë se jo vetëm negocion për t’u bërë anëtare e BE-së, por po ndërton çdo ditë standardin e një shteti europian”, deklaroi Dhuka.
Në përfundim, ajo theksoi se sfida kryesore mbetet mbyllja e kapitujve të negociatave me rezultate të qëndrueshme, duke e afruar vendin drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.







