Vetëvendosje zyrtarizon koalicionin parazgjedhor për zgjedhjet e 7 qershorit
Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti ka zyrtarizuar koalicionin parazgjedhor për zgjedhjet e 7 qershorit, duke garuar së bashku me Partia Guxo, Alternativa dhe PSHDK.
Lajmi u konfirmua nga bashkëkryetarja e Guxo-s, Donika Gërvalla, e cila bëri të ditur nënshkrimin e marrëveshjes së koalicionit përmes një reagimi në rrjetet sociale.
“Nënshkruam marrëveshjen e koalicionit me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, Partinë Alternativa dhe PSHDK-në. Për një Republikë që nuk negocion me interesin e shtetit, për një shtet që nuk lëkundet, institucione që nuk dorëzohen dhe një qeverisje që nuk i nënshtrohet as interesit të ngushtë, as presionit të asnjë kohe”, është shprehur ajo.
Ky zhvillim konfirmon vijimin e bashkëpunimit mes forcave politike që aktualisht përbëjnë shumicën parlamentare në Kosovë dhe pritet të jetë një nga elementët kyç të garës zgjedhore.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është njoftuar edhe për krijimin e dy koalicioneve të tjera nga komunitetet pakicë, përkatësisht nga boshnjakët dhe ashkalinjtë.
Zgjedhjet e qershorit pritet të përfshijnë gjithsej tre koalicione me nëntë parti politike, ndërsa pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe 22 subjekte të tjera politike.
Këto do të jenë zgjedhjet e treta parlamentare brenda 18 muajsh në Kosovë, pas proceseve të zhvilluara në shkurt dhe dhjetor 2025, të cilat sipas ekspertëve kanë reflektuar një periudhë të zgjatur të paqëndrueshmërisë institucionale.







