Ndryshimet për shtetësinë, Balla: Fund paqartësive dhe procedura më të shpejta. Mbështesim diasporën dhe shqiptarët e Kosovës
Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla mbrojti në Kuvend ndryshimet në ligjin për shtetësinë, duke i cilësuar ato si një ndërhyrje të domosdoshme për të qartësuar dhe përmirësuar zbatimin e ligjit.
Balla tha se praktika e deritanishme mes institucioneve, si Ministria e Brendshme dhe Presidenca, kishte krijuar paqartësi në interpretimin e procedurave dhe vështirësi në miratimin e aplikimeve për shtetësi shqiptare.
Një pjesë e rëndësishme e amendamenteve lidhet edhe me lehtësimin e procedurave për fitimin e shtetësisë për bashkëshortët e shtetasve shqiptarë, veçanërisht për shqiptarët e Kosovës. Balla tha se dispozitat aktuale krijonin trajtim të pabarabartë mes çifteve rezidente dhe jorezidente.
Sipas Ballës, ndryshimet parashikojnë procedura më të përshpejtuara dhe më të lehtësuara për bashkëshortët e shtetasve shqiptarë që janë rezidentë në Shqipëri. Ai shtoi se propozimet janë ndërtuar mbi praktikat më të mira europiane, duke marrë si referencë Italinë, Francën, Spanjën, Portugalinë, Gjermaninë dhe Greqinë.
Në përfundim, Balla u shpreh se ndryshimet synojnë zgjerimin e dhënies së shtetësisë shqiptare, por në mënyrë të kontrolluar, me rregulla të qarta, standarde më të larta dhe forcim të kontrollit institucional, ndërsa apeloi që edhe opozita t’i mbështesë në votimin në Kuvend.
Fjala e plotë:
Faleminderit zoti drejtues i seancës.
Edhe mos u ankoni që opozita s’ka hapësirë se po drejtoni dhe punimet e Kuvendit.
Nuk dua të duket kurrsesi, si rrallëherë në fakt që ky diskutim të marrë natyrë politike.
Dua t’i sqaroj gjithë kolegët që janë këtu, po edhe publikun, të gjitha që kemi sjellë në Kuvend disa ndryshime në ligjin për shtetësinë, të cilat i vlerësojmë si një ndërhyrje e domosdoshme për të qartësuar, përmirësuar zbatimin e një neni, i 9-ti i ligjit, i cili nga dhe le të themi puna e përditshme mes institucioneve të përfshira, Ministria e Brendshme, Presidenca, ka rezultuar të ketë krijuar paqartësi në mënyrën e leximit e për pasojë edhe vështirësi në miratimin e shumë aplikimeve për shtetësi shqiptare dhe për kujtesë edhe natyrës, të themi, institucionale, neni 9 i këtij ligji, pra ligji për shtetësinë parashikon mundësinë e fitimit të shtetësisë shqiptare në raste të veçanta, kur Shqipëria jonë e përbashkët, pra Republika, ka interes në fusha të ndryshme si arsimi, shkenca, arti, kultura, ekonomia apo dhe sporti.
Një numër i konsiderueshëm kontributesh në sportin shqiptar kanë ardhur përmes kësaj procedure, përmes tij, ndryshimi në ligj. Shqiptarë të Kosovës, kryesisht shqiptarë të diasporës, kanë pasur mundësinë të marrin shtetësinë shqiptare. Në zbatim të këtij parashikimi dhe me vendim të Këshillit të Ministrave u krijua dhe Agjencia e Hartimit të Programeve të Veçanta të Shtetësisë, e cila është institucioni që bën gjithë procesin për t’ia dërguar më pas me firmën e ministrit të Brendshëm institucionit të Presidentit të Republikës.
Megjithatë, nga një analizë e zbatimit praktik rezultoi se ky model kishte krijuar një lloj mbivendosjeje funksionesh e paqartësi në ndarjen, le të themi, të përgjegjësive dhe agjencia kishte edhe rolin e hartuesit të programit, por edhe të verifikimit të aplikimeve.
Prandaj kemi sjellë, për t’i rënë shkurt, një riformulim, qoftë në titullin e nenit, pra natyralizimi për interes shtetëror, dhe pjesa tjetër për të shmangur çdo paqartësi konceptuale dhe kemi përcaktuar se interesi shtetëror identifikohet, mbështetet dhe garantohet nga institucionet përkatëse të ekzekutivit dhe ato ia paraqesin Presidentit të Republikës.
Pjesa tjetër që ka ardhur përmes amendamenteve, zonja e zotërinj deputetë, lidhet me një shqetësim që u ngrit në Samitin e Diasporës.
Pra, e vërteta është që shumë bashkatdhetarë e ngritën në Samitin e Diasporës se dispozitat aktuale krijojnë një trajtim të pabarabartë mes çifteve rezidente dhe atyre jorezidente.
Pra po ua bëj shumë të thjeshtë.
Është e papranueshme që një shqiptar i Shqipërisë, i martuar me një vajzë të Kosovës, e ka të pamundur të marrë në një kohë relativisht të shkurtër shtetësinë për bashkëshorten e tij.
Kështu që edhe vice-versa dhe një vajzë e Shqipërisë e martuar me një djalë të Kosovës e ka shumë të vështirë ta fitojë shtetësinë nga martesa.
Kështu që kemi bërë një ndërhyrje, në mënyrë që të parashikojmë: i huaj ose e huaj e martuar me shtetas shqiptar të fitojë shtetësinë shqiptare në mënyrë më të përshpejtuar dhe ndërkohë me procedura më të lehtësuara kur personi është rezident në Shqipëri.
Pra në rast se ti je rezident në Shqipëri dhe i ke plotësuar gjithë ato, ne propozojmë që të jetë një procedurë shumë e lehtësuar. T’ju them të drejtën në komisione kam mbetur i surprizuar që përfaqësuesit e opozitës nuk e kanë mbështetur, besoj që deri në fund të kësaj seance ta mbështesim.
Ju garantoj që është një propozim i ndërtuar duke marrë në konsideratë praktikat më të mira të vendeve europiane. Jemi referuar Italisë, Francës, Spanjës, Portugalisë, Gjermanisë dhe Greqisë.
Në këto vende janë plot raste bashkatdhetarësh tanë që kanë përfituar nga këto lehtësira që parashikon legjislacioni i tyre për raste, për shembull, të martesës, pra të bashkimit familjar.
Kështu që pa u zgjatur shumë, dua t’ju them që propozimet synojnë zgjerimin e dhënies së shtetësisë, por e kontrolluar, jo e pakontrolluar. Vendosin rregulla të qarta, rrisin standardet, forcojnë kontrollin institucional, harmonizojnë legjislacionin tonë me praktikat më të mira europiane.
Kështu që besoj shumë që deri në votim, kurdo që të jetë votimi sonte, edhe kolegët e opozitës do ta mbështesin. Bëhet fjalë për, le të themi, lehtësira në aplikimet për shtetësi shqiptare në Republikën tonë.
Faleminderit.







