Dhërmi, ndalohet gomonia që rrezikonte pushuesit – gjobë e rëndë dhe paralajmërim nga Ministria e Brendshme
Një gomone është bllokuar nga autoritetet në zonën e Dhërmiut, pasi ka hyrë në mënyrë të pakontrolluar pranë perimetrit të sigurisë së plazhit, duke rrezikuar seriozisht jetën e pushuesve që ndodheshin në det dhe në breg. Ngjarja ka sjellë ndërhyrjen e menjëhershme të strukturave përgjegjëse dhe vendosjen e një gjobe të konsiderueshme për drejtuesin e mjetit lundrues.
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar ashpër ndaj rastit përmes një postimi publik, duke theksuar se kontrollet në vijën bregdetare do të vijojnë me intensitet dhe se nuk do të ketë asnjë tolerim për shkelje të tilla që cenojnë sigurinë e qytetarëve.
“Për ‘trimat’ si ky në Dhërmi, që sfidojnë perimetrin e sigurisë në plazhe dhe rrezikojnë jetën e pushuesve, nuk do të ketë asnjë tolerim. Ta gëzosh gjobën 5 milionë lekë të vjetra dhe provoje përsëri të bësh aventura të tilla,” u shpreh Lamallari.
Autoritetet kanë bërë të ditur se monitorimi i zonave bregdetare do të forcohet edhe më tej gjatë sezonit turistik, me qëllim parandalimin e incidenteve dhe garantimin e sigurisë së pushuesve në plazhet e vendit.







