Bypass-i i Tiranës përfiton grant investimi nga BE




Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Bashkimi Europian (BE) dhe donatorët dypalësh njoftuan se po rrisin mbështetjen e tyre për përmirësimet vitale të infrastrukturës në Ballkanin Perëndimor.
Në një njoftim për shtyp, BERZH bëri të ditur sot se, “donatorët po bashkojnë burimet e tyre nëpërmjet Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) dhe miratuan 77.6 milionë euro grante investimesh dhe bashkëpunim teknik për projekte të mbështetura edhe nga 204 milionë euro nga financat e BERZH”.
Në Shqipëri, bypass-i i Tiranës, një seksion i Korridorit Mesdhetar me gjatësi 21.5 km, do të përfitojë nga një grant investimi nga BE si dhe nga financimi i BERZH. Ky projekt do të sigurojë një lidhje kyçe midis dy arterieve rrugore: njëra që çon nga Triestja në Itali në Kalamata në Greqi dhe një tjetër që lidh rajonet e Shqipërisë dhe Maqedoninë e Veriut në portin e Durrësit.
Në Kosovë, fondet e reja të BE do të ndihmojnë në ndërtimin e një pjese kryesore rrugore midis kryeqytetit, Prishtinë, dhe pikës së kalimit në Merdare në Serbi, si pjesë e Autostradës së Paqes. Ky zhvillim i infrastrukturës pritet të përmirësojë tregtinë rajonale dhe të sigurojë lidhje më të ngushta me tregjet vitale të eksportit, në veçanti me vendet e BE-së. Kjo është rruga më e shkurtër e transportit në rajon nga porti i Durrësit në Shqipëri në bregdetin Adriatik në Europën Juglindore dhe Qendrore si dhe në Detin e Zi.
Për më tepër, donatorët dypalësh miratuan dy projekte jetësore komunale për ujërat. Në Bosnjë e Hercegovinë, një investim i ri do të përmirësojë furnizimin me ujë dhe rrjetin në dhe përreth qytetit të Visoko. Në Kosovë, qytetarët e Mitrovicës do të përfitojnë nga një azhurnim në impiantin lokal të trajtimit të ujërave të ndotura dhe rrjetin e kanalizimeve.
Zsuzsanna Hargitai, drejtore e BERZH për Ballkanin Perëndimor, tha se “ky është një hap i madh për ndërtimin e një infrastrukture të besueshme dhe të gjelbër në të gjithë rajonin”,
“Ne jemi krenarë që jemi një partner kryesor i WBIF dhe që jemi në gjendje të rrisim ndikimin e zhvillimit në rajon. Fokusi ynë është tani në përshpejtimin e fillimit të zbatimit të tyre”, theksoi ajo.
Që nga fillimi i operacioneve të saj, BERZH ka investuar pothuajse 1.5 miliardë euro në mbi 100 projekte në Shqipëri, 2.7 miliardë euro në më shumë se 180 projekte në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe mbi 500 milionë euro në më shumë se 70 projekte në Kosovë.
Eunews.al
