×
Thursday, May 21, 2026

Britania lehtëson kufizimet ndaj naftës ruse dhe importet e karburantit për avionë

May 20, 2026


Qeveria britanike ka zbutur sanksionet ndaj naftës bruto ruse, duke lejuar importin e naftës dhe karburantit të përpunuar për avionët në vende të treta, mes rritjes së kostove të energjisë.

Sipas një license tregtare që hyri sot në fuqi, importet e këtyre produkteve do të lejohen “pa afat të përcaktuar”.

Licensa parashikon që ky përjashtim nga sanksionet do të rishikohet periodikisht, ndërsa çmimet e karburanteve vazhdojnë të rriten për shkak të mbylljes së Ngushticës së Hormuzit dhe krizës së vazhdueshme në Lindjen e Mesme.

Më herët, qeveria britanike njoftoi se do të ndalonte edhe importin e naftës ruse të rafinuar në vende të tjera, me synimin për të kufizuar më tej rrjedhën e fondeve drejt Kremlinit.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, njoftoi në fillim të javës zgjatjen me 30 ditë të përjashtimit nga sanksionet, duke lejuar blerjen e naftës ruse që ndodhej tashmë në det.

“Ky zgjatim do të ofrojë fleksibilitet shtesë dhe do të punojmë me këto vende për të dhënë licensa specifike sipas nevojës”, shkroi ai në X.

Sipas tij, licensa e përgjithshme do të ndihmojë në stabilizimin e tregut fizik të naftës bruto dhe në sigurimin e furnizimit për vendet më të cenueshme energjetikisht.

Vendimi vjen në një kohë kur çmimet e karburanteve në Britani të Madhe, e kanë tejkaluar nivelin më të lartë të regjistruar gjatë krizës së naftës në Iran.

Sipas “Klubit Mbretëror i Automobilave” (RAC), çmimi mesatar i një litri benzine në pikat e karburantit në Britani te Madhe arriti në 158,5 cent (rreth 2,12 dollarë), niveli më i lartë që nga dhjetori 2022.

Drejtuesi i politikave në RAC, Simon Williams, e cilësoi rritjen si një “lajm të keq për drejtuesit” dhe paralajmëroi se çmimet mund të shkojnë të paktën në 160 cent për litër në javët e ardhshme, nëse çmimi i naftës nuk bie ndjeshëm.

Ndërkohë, media britanike raportoi se kancelarja britanike, Rachel Reeves pritet të heqë dorë të enjten nga plani për rritjen e akcizës së karburantit nga shtatori.

Në buxhetin e nëntorit 2025, Reeves njoftoi zgjatjen deri në fund të gushtit 2026 të uljes me 5 cent për litër të akcizës së karburantit, masë e vendosur fillimisht nga qeveria konservatore në mars 2022.

Pas kësaj periudhe, normat parashikohej të riktheheshin gradualisht në nivelet e mëparshme gjatë pesë viteve pasuese.




Comments are closed.