Nga një sipërmarrje familjare e themeluar në vitin 1999, Besniku Shpk është kthyer ndër vite në një prej emrave të njohur të agrobiznesit në Shqipëri. Kompania lider e cila operon në sektorin bujqësor dhe blegtoral, po shënon një tjetër fazë rritjeje, të shoqëruar me zgjerimin e aktivitetit dhe synimin për të dalë në tregje të reja.
E themeluar nga vëllezërit Domi, me në krye sipërmarrësin Dervish Domi, Besniku e nisi aktivitetin si një biznes familjar. Ndër vite ndërtoi një pozicion të konsoliduar në tregun bujqësor. Plehrat kimike dhe produktet plehëruese përbëjnë një nga kategoritë kryesore të portofolit të saj, përmes të cilave kompania furnizon fermerët gjatë sezoneve të ndryshme të prodhimit.

Përgjatë më shumë se dy dekadave, aktiviteti i Besnikut është zgjeruar për t’iu përgjigjur kërkesave të një tregu ku nevojat e fermerëve dhe zhvillimi i bujqësisë kërkojnë një ofertë gjithnjë e më të gjerë produktesh. Marrëdhënia e drejtpërdrejtë me fermerët dhe prania në këtë sektor kanë qenë pjesë e rëndësishme e rrugëtimit të kompanisë.
Një nga treguesit më domethënës të ecurisë së saj është zgjerimi i aktivitetit ndër vite. Gjatë periudhës së fundit, Besniku ka shënuar një rritje me ritme të larta të prezencës në treg. Ky është një zhvillim që shënon një hap të rëndësishëm për kompaninë.
Për Zv. Presidentin e Korporatës Atlas, Aurel Domi, kjo ecuri është rezultat i një pune të vazhdueshme dhe i një vizioni që synon ta çojë kompaninë përtej kufijve të tregut aktual. “Rritja e Besnikut reflekton punën dhe investimet e vazhdueshme në këtë biznes. Synimi ynë është të vijojmë zgjerimin dhe të forcojmë më tej praninë e kompanisë në tregun agrokulturor”,është shprehur z. Domi.
Tashmë Besniku është pjesë e Korporatës Atlas, një grup që përfshin kompani me aktivitet në disa sektorë të ekonomisë, si Atlas Mills, Ola Foods, Edil Centro, Atlas Energy, Atlas Development dhe Domi Foundation. Si pjesë e këtij grupi, kompania Besniku përfaqëson një nga investimet e Korporatës Atlas në sektorin e agrobiznesit, një fushë me rëndësi për ekonominë shqiptare.


