Përmbytje të mëdha godasin ishullin grek të Rodosit

02 Nov 2026 • 14:09
Shpërndaje:

Reshjet e dendura të shiut dhe përmbytjet kanë goditur sërish disa zona të Greqisë, ku më i prekur është ishulli turistik i Rodosit.

Reshjet në ishullin e Rodosit zgjatën për 17 orë, duke përmbytur rrugët dhe banesat në zonën e bashkisë së Arkangelosit, në verilindje të ishullit.

Pamjet e publikuara nga banorët në rrjetet sociale tregojnë se disa rrugë u shndërruan në rrjedha të fuqishme uji, duke vështirësuar lëvizjen.

Reklamë Ola

Gjatë natës, autoritetet e mbrojtjes civile u dërguan banorëve një mesazh paralajmërues në telefonat celularë, duke u kërkuar të shmangnin daljet e panevojshme dhe të mos përdornin automjetet.

Ndërkohë, shkollat do të qëndrojnë të mbyllura deri në një njoftim të dytë.

Reklamë InterMedika

Përmbytje janë regjistruar edhe në ishullin e Samosit dhe në qytetin portual të Volosit, ku zjarrfikësit janë angazhuar për të përballuar situatën.

Shërbimi meteorologjik grek “EMY” ka paralajmëruar se reshjet e dendura dhe stuhitë do të vazhdojnë deri nesër, kryesisht në pjesën perëndimore dhe veriore të vendit.

Moti gjatë muajit tetor në Greqi ka qenë jashtëzakonisht i keq, duke shkaktuar shqetësime edhe për turistët.

Stuhitë e forta kanë goditur vazhdimisht disa rajone të vendit.

Sipas Observatorit Kombëtar të Athinës, në disa zona janë regjistruar sasi jashtëzakonisht të mëdha reshjesh.

Në ishullin e Evias, në disa zona ranë 408 milimetra shi brenda katër ditëve, një sasi katër herë më e madhe se reshjet që zakonisht regjistrohen gjatë gjithë muajit tetor.

Ndërsa në ishullin e Kretës, në disa zona u regjistruan më shumë se 1,000 milimetra reshje gjatë mesit të tetorit