BE vlerëson përparimin e Shqipërisë, kërkon reformë zgjedhore dhe forcim të drejtësisë

04 Nov 2026 • 14:57
Shpërndaje:

hqipëria ka shënuar përparim në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian, por duhet të përshpejtojë reformat dhe të sigurojë rezultate konkrete në zbatimin e tyre. Ky është vlerësimi i Komisionit Europian në progresraportin për vitin 2026, ku evidentohen arritjet në procesin e integrimit, krahas problematikave në luftën kundër korrupsionit, pavarësinë e drejtësisë dhe funksionimin e institucioneve.

Komisioni vlerëson hapjen e grupkapitullit të fundit të negociatave, përmbushjen e standardeve ndërmjetëse të grupkapitullit të parë dhe mbylljen e përkohshme të katër kapitujve. Raporti njeh gjithashtu angazhimin e Shqipërisë për integrimin europian dhe objektivin për mbylljen e të gjithë kapitujve deri në fund të vitit 2027.

Në fushën e demokracisë, Brukseli kërkon një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Megjithëse kuadri ligjor dhe institucional për zgjedhjet vlerësohet përgjithësisht i përshtatshëm, disa rekomandime të kahershme të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias mbeten të paadresuara.

Reklamë Ola

“Një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore është urgjentisht e nevojshme, veçanërisht përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027”, theksohet në raport.

Komisioni evidenton edhe mungesën e dialogut të mirëfilltë politik dhe të konsultimeve publike, si dhe përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës. Sipas raportit, këta faktorë vijojnë të kufizojnë efektivitetin e Kuvendit dhe rolin e tij në kontrollin e ekzekutivit. Parlamentit i kërkohet gjithashtu të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese që kanë mbetur të pazbatuara.

Reklamë InterMedika

Për reformën në drejtësi, Shqipëria vlerësohet se ka shënuar progres të mirë. Komisioni evidenton përfundimin e procesit të vettingut për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, por nënvizon se sistemi vijon të përballet me mungesë burimesh njerëzore, vonesa në shqyrtimin e çështjeve dhe ndërhyrje të papërshtatshme politike.

Vlerësim pozitiv merr puna e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Sipas Komisionit, institucioni ka vijuar të dëshmojë pavarësi dhe të japë rezultate, duke kontribuar në krijimin e një bilanci të qëndrueshëm në këtë fushë.

Megjithatë, korrupsioni mbetet një sfidë që kërkon më shumë hetime, ndjekje penale dhe vendime përfundimtare, veçanërisht për çështjet e profilit të lartë.

Në fushën e të drejtave themelore, raporti kërkon rezultate më të prekshme për garantimin e së drejtës së pronës, mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe përmirësimin e kushteve në burgje. Përfundimi i regjistrimit fillestar të pronave dhe digjitalizimi i hartave kadastrale mbeten gjithashtu detyra për institucionet shqiptare.

Krahas këtyre çështjeve, Komisioni evidenton nevojën për ndërhyrje edhe në lirinë e medias dhe konkurrueshmërinë ekonomike, si pjesë e reformave që duhet të shoqërojnë avancimin e negociatave të anëtarësimit.