BE thirrje Kosovës: Të formohet sa më shpejt qeveria e re
Shefat e misioneve të Bashkimit Evropian në Kosovë lëshuan të enjten një deklaratë të përbashkët, duke bërë thirrje për formimin e shpejtë të Qeverisë së re të Kosovës.
Sipas tyre, Kosova duhet me urgjencë të vazhdojë punën në reforma për zhvillim ekonomik dhe shoqëror, si dhe sundim të ligjit, zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë dhe dialogun me Beogradin, të cilin e lehtëson BE-ja.
“Nevojitet një formim i shpejtë i qeverisë për t’i çuar përpara këto procese, në interes të Kosovës dhe popullit të saj dhe në përputhje me Kushtetutën dhe dëshirën e shprehur të elektoratit”, thuhet mes tjerash në deklaratë.
Kosova i ka mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 6 tetor.
Dy partitë me numrin më të madh të votave, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, janë në negociata për formimin e koalicionit qeveritar, por ende nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje. Seanca konstitutive e Kuvendit të Kosovës është caktuar të mbahet më 26 dhjetor.
Eunews.al