BE propozon mbikëqyrje 15-vjeçare për anëtarët e rinj, rrezik pezullimi fondesh dhe të drejtash vote

08 Oct 2026 • 09:01
Shpërndaje:

Vendet që do t’i bashkohen Bashkimit Europian në të ardhmen mund t’i nënshtrohen një periudhe të posaçme mbikëqyrjeje deri në 15 vjet pas anëtarësimit, gjatë së cilës mund të përballen me masa ndëshkuese në rast të shkeljeve serioze të shtetit të së drejtës.

Propozimi është pjesë e paketës së re të Komisionit Europian, të prezantuar më 6 tetor, që synon të përgatisë Bashkimin Europian për zgjerimin e ardhshëm dhe të forcojë mekanizmat për mbrojtjen e vlerave demokratike.

Sipas planit, vendet e reja anëtare mund të përballen me kufizimin e fondeve europiane dhe, në rastet më të rënda, me pezullimin e të drejtës së votës në Këshillin e BE-së.

Reklamë Ola

Mekanizma të rinj për të parandaluar shkeljet

Komisioni Europian kërkon që traktatet e ardhshme të anëtarësimit të përfshijnë garanci më të forta kundër regresit demokratik dhe mosrespektimit të angazhimeve të ndërmarra gjatë negociatave.

Reklamë InterMedika

Nisma vjen pas përvojës me Hungarinë, ku përdorimi i mekanizmave ekzistues të BE-së për të adresuar shkeljet e shtetit të së drejtës është përballur me vështirësi.

Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Bashkimi Europian duhet të shmangë situatat kur një vend i sapoanëtarësuar mund të pengojë funksionimin e institucioneve apo vendimmarrjen e përbashkët.

“Jam kritikuar shumë kur thashë për herë të parë se nuk dua të shoh kuaj të rinj trojanë në Bashkimin Europian. Kjo ishte ende para zgjedhjeve në Hungari. Sot mund të them: jo më Viktor Orbán”, u shpreh Kos.

Mekanizmi i propozuar do të funksiononte krahas instrumenteve ekzistuese të traktateve europiane, përfshirë nenin 7, dhe do të aktivizohej në rastet kur shkeljet serioze rrezikojnë funksionimin e Bashkimit.

Masat parashikohen të jenë të përkohshme, proporcionale dhe të rishikueshme, ndërsa pezullimi i të drejtës së votës do të konsiderohej vetëm në rastet më të rënda.

Një tjetër propozim synon që shtetet e reja anëtare të angazhohen për të mos bllokuar zgjerimet e ardhshme të BE-së për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe.

Integrim gradual për vendet kandidate

Krahas mekanizmave mbrojtës, Komisioni Europian propozon zgjerimin e mundësive për integrimin gradual të vendeve kandidate përpara anëtarësimit të plotë.

Kjo do t’u mundësonte vendeve që përmbushin kriteret përkatëse të marrin pjesë më herët në programe dhe politika të caktuara europiane, veçanërisht në sektorët e energjisë, transportit, teknologjisë dhe mbrojtjes.

“Kjo nuk është zëvendësim për anëtarësimin e plotë. Synimi është vetëm që vendet që performojnë mirë të mund të integrohen më herët”, theksoi Kos.

Përfitimet do të kushtëzohen nga ecuria e reformave, përafrimi me legjislacionin europian dhe respektimi i standardeve demokratike.

Komisioni synon gjithashtu të zhvillojë dialogë të përvitshëm me vendet kandidate për të vlerësuar përparimin dhe për të identifikuar mundësi të reja integrimi.

Çfarë parashikohet për Shqipërinë?

Shqipëria është ndër katër vendet për të cilat Komisioni Europian ka njoftuar përgatitjen e udhërrëfyesve orientues të zgjerimit, së bashku me Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën.

Në kuadër të përgatitjeve për anëtarësim, Brukseli synon të forcojë kontrollet mbi funksionimin e institucioneve, prokurimet publike, auditimin e pavarur, luftën kundër mashtrimit dhe administrimin e fondeve europiane.

Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe kapaciteteve për zbatimin e standardeve të BE-së në sigurinë ushqimore, menaxhimin e kufijve, transport dhe tregun e përbashkët.

Në rast të mangësive serioze, Komisioni parashikon mundësinë e masave korrigjuese përpara anëtarësimit, përfshirë shtyrjen e tij.

Propozimet e reja nuk janë ende rregulla të miratuara. Ato do të diskutohen me shtetet anëtare dhe institucionet europiane, ndërsa mekanizmat përkatës do të duhet të përfshihen në traktatet e ardhshme të anëtarësimit.

Paketa synon që zgjerimi i BE-së të shoqërohet me garanci më të forta për respektimin e shtetit të së drejtës, pa hequr dorë nga mundësia e integrimit gradual të vendeve kandidate.