×
E enjte, 29 Tetor, 2020

BE-ja uron votimin e qeverisë Hoti. Të rifillojë dialogu sa më shpejt me Serbinë

3 Qershor, 2020

Bashkimi Evropian ka uruar votimin e qeverisë së re të Kosovës të udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, duke thënë se mezi pret të bashkëpunojë në përparimin e marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Kosovës.

“Një rifillim i shpejtë i dialogut Beograd-Prishtinë i lehtësuar nga BE-ja, me mbështetjen e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, është thelbësor për të arritur një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është mënyra e vetme për ta kthyer të ardhmen evropiane të Kosovës në një realitet për qytetarët e saj”, thuhet në komunikatën e përbashkët të shefit për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Komisionarit të Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Dy zyrtarët e lartë të BE-së thonë se pandemia e koronavirusit do të mbetet një sfidë e përbashkët për të ardhmen.

“BE-ja do të vazhdojë të qëndrojë pranë Kosovës dhe njerëzve të saj. Ne gjithashtu duam ta shohim Kosovën përpara në rrugën e saj evropiane. Kjo do të kërkojë përpjekje për reforma si dhe fuqizimin e sundimit të ligjit, veçanërisht luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet në komunikatë.

Qeveria e re e Kosovës me kryeministër, Avdullah Hotin, u votua të mërkurën nga Kuvendi i Kosovës, me 61 vota për, 24 kundër dhe një abstenim.

Kryeministri Hoti, ka thënë më parë se qeveria e drejtuar nga ai, do të heqë të gjitha pengesat që e bllokojnë rifillimin e dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë në fund të vitit 2018, pasi qeveria e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, vendosi tarifën 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës.

Më pas, qeveria e drejtuar nga ish-kryeministri, Albin Kurti, e shfuqizoi vendimin për tarifën, duke e zëvëndësuar atë me masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Heqjen e masës së reciprocitetit e kanë kërkuar edhe Shtetet e Bashkuara.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për