×
Thursday, July 23, 2026

BE gjobit “Google” me 890 milionë euro për shkelje të rregullave të konkurrencës

July 23, 2026


Bashkimi Evropian i ka vendosur kompanisë amerikane “Google” një gjobë prej 890 milionë eurosh për shkelje të rregullave evropiane të konkurrencës dhe të legjislacionit për tregjet digjitale.

Vendimi u njoftua sot nga Komisioni Evropian, i cili akuzon kompaninë se ka favorizuar shërbimet e veta në motorin e kërkimit “Google Search” dhe ka kufizuar zgjedhjet e konsumatorëve në dyqanin e aplikacioneve “Google Play”.

Sipas Komisionit Evropian, “Google” u ka dhënë përparësi shërbimeve të veta në rezultatet e kërkimit, duke dëmtuar kompanitë rivale që ofrojnë shërbime të ngjashme, si ato për blerje online apo sport.

Gjithashtu, kompania akuzohet se ka penguar zhvilluesit e aplikacioneve të informojnë përdoruesit për oferta më të lira jashtë platformës “Google Play”.

Nënkryetarja e Komisionit Evropian, Henna Virkkunen, deklaroi se praktikat e “Google” kanë dëmtuar konkurrencën dhe kanë kufizuar zgjedhjet e konsumatorëve.

Ajo theksoi se kompania duhet të ndryshojë mënyrën e funksionimit të shërbimeve të saj për t’u përshtatur me legjislacionin e BE-së, në të kundërt rrezikon sanksione të tjera financiare.

“Google” ka të drejtën ta apelojë vendimin në gjykatat e Bashkimit Evropian. Në reagimin e saj, kompania e cilësoi gjobën si të padrejtë, duke argumentuar se vendimi nuk promovon konkurrencën, por përkeqëson produktet dhe dëmton si bizneset evropiane ashtu edhe konsumatorët.

Sipas “Google”, rregulloret duhet të përmirësojnë shërbimet dhe jo t’i bëjnë ato më pak efektive.

Kjo është një tjetër përplasje e madhe mes Bashkimit Evropian dhe gjigantëve të teknologjisë, ndërsa Brukseli vazhdon të zbatojë rregulla më të rrepta për të garantuar konkurrencë të ndershme dhe mbrojtje më të madhe për konsumatorët në tregun digjital.




Comments are closed.