Balla takim me presidentin e Këshillit Bashkiak të Jacksonville, Kevin Carrico: Miqësia shqiptaro-amerikane mbetet një partneritet i qëndrueshëm, i ndërtuar mbi vlera të përbashkëta demokratike
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, priti sot në Kuvendin e Shqipërisë Presidentin e Këshillit Bashkiak të Jacksonville, Kevin Carrico, përfaqësues i Partisë Republikane.
Gjatë takimit, në fokus ishte bashkëpunimi mes dy vendeve, si edhe roli i rëndësishëm që luan komuniteti shqiptaro-amerikan në forcimin e urave të miqësisë mes Shqipërisë dhe SHBA-së. Në takim morën pjesë edhe disa përfaqësues të këtij komuniteti nga Jacksonville, duke dëshmuar angazhimin e diasporës në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Balla ka nënvizuar se miqësia shqiptaro-amerikane mbetet një partneritet i qëndrueshëm, i ndërtuar mbi vlera të përbashkëta demokratike dhe respekt të ndërsjellë.
Balla ka përcjellë urime për popullin amerikan me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA, duke e cilësuar këtë jubile si një moment historik që kremton lindjen e një prej demokracive më të rëndësishme në botë dhe vlerat e lirisë, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.







