Rama: Na intereson “uji i pastër” i protestës, jo korja e zezë e dështakëve dhe zemërakëve
Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria është e interesuar të dëgjojë shqetësimet reale të qytetarëve që marrin pjesë në protestë, ndërsa akuzoi se pjesa më e zhurmshme e tubimeve dominohet nga, sipas tij, “dështakët dhe zemërakët e Shqipërisë”.
Gjatë fjalës së mbajtur në Edicionin e Tretë të Javës së Administratës Publike, me fokus “Shërbimin Publik për një Shqipëri Europiane”, Rama u ndal te transformimi i administratës shtetërore, duke e cilësuar atë një proces të gjatë dhe kompleks.
Ai tha se shërbimi civil ka pësuar një transformim të rëndësishëm gjatë viteve të fundit, por pranoi se administrata ende ka probleme në raport me qytetarët.
“Ne po përpiqemi të lexojmë protestën e bulevardit në atë pjesë që ka rëndësi për ne, që është zëri dhe shqetësimet reale, ajo që unë e quaj uji i pastër i protestës, nën atë koren e zezë të pjesës së dukshme dhe të zhurmshme, ku janë mbledhur të gjithë dështakët dhe zemërakët e Shqipërisë”, u shpreh Rama.
Për të ilustruar këtë qëndrim, kryeministri tregoi rastin e nënës së një miku të tij, e cila kishte marrë pjesë në protestë për shkak të mënyrës se si ishte trajtuar në një poliklinikë.
Sipas Ramës, qytetarja ishte detyruar të priste me orë të tëra për të takuar mjekun, i cili nuk respektonte orarin dhe largohej pasi vizitonte vetëm pak pacientë.
“Ky është thelbi i zemërimit të shumë njerëzve me administratën shtetërore. Ajo grua nuk doli në protestë për politikë, por sepse u ndje e poshtëruar nga shteti i saj”, tha ai.
Rama theksoi se jo çdo problem mund të zgjidhet nga administrata, pasi shumë çështje kërkojnë zgjidhje gjyqësore, por shtoi se qytetarët kanë të drejtë të trajtohen me dinjitet.
“Mungesa e njerëzillëkut është ajo që njerëzit nuk janë më të gatshëm ta tolerojnë”, përfundoi kryeministri.







