Trump: Është qesharake që SHBA-ja të mbajë barrën kryesore të NATO-s
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kritikuar sërish ndarjen e barrës financiare brenda NATO-s, duke e cilësuar si “qesharake” faktin që SHBA-ja vazhdon të mbajë pjesën më të madhe të shpenzimeve të aleancës.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump publikoi një tabelë që krahason shpenzimet ushtarake të vendeve anëtare të NATO-s, duke argumentuar se marrëdhënia mes SHBA-së dhe aleatëve nuk është e balancuar.
“Është qesharake që SHBA-ja të vazhdojë në këtë rrugë të njëanshme kur marrëdhënia nuk është reciproke. Ata nuk ishin aty për ne!!!”, shkroi Trump.
Sipas grafikut të publikuar prej tij, Shtetet e Bashkuara shpenzojnë rreth 999 miliardë dollarë për mbrojtjen, ndërsa Mbretëria e Bashkuar 90.5 miliardë dollarë, Franca 66.5 miliardë, Italia 48.8 miliardë dhe Polonia 44.3 miliardë dollarë.
Trump ka kërkuar vazhdimisht që vendet evropiane të rrisin kontributet e tyre në mbrojtje, duke argumentuar se barra financiare e NATO-s duhet të ndahet në mënyrë më të drejtë mes aleatëve.







