×
Friday, July 3, 2026

Rama: Teknologjia dhe AI do të jenë armët kryesore kundër korrupsionit në administratë

July 3, 2026


Kryeministri Edi Rama deklaroi se lufta kundër korrupsionit në administratën publike po mbështetet gjithnjë e më shumë te ndërtimi i sistemeve të qëndrueshme dhe teknologjia, duke theksuar se Shqipëria po punon për të zhvilluar programin e parë me inteligjencë artificiale për prokurimet publike.

Gjatë fjalës së mbajtur në Edicionin e Tretë të Javës së Administratës Publike, me fokus “Shërbimin Publik për një Shqipëri Europiane”, Rama u ndal te reformat në administratë, shëndetësi dhe shërbimet digjitale.

Sipas tij, korrupsioni nuk luftohet me masa spektakolare, por me ngritjen e mekanizmave që garantojnë funksionimin e sistemit.

“Sot në Shqipëri sistemi, për herë të parë, po lufton me korrupsionin. Po hyhet aty ku nuk është hyrë kurrë që nga krijimi i shtetit shqiptar. Nuk është koha për gijotina, por për ndërtimin e një sistemi që garanton drejtësi dhe funksionim për të gjithë”, u shpreh Rama.

Kryeministri bëri të ditur se qeveria po bashkëpunon me partnerë ndërkombëtarë për krijimin e një platforme me inteligjencë artificiale për prokurimet publike, e cila pritet të testohet gjatë vitit të ardhshëm dhe të hyjë në funksion në vitin 2028.

“Shqipëria sot po punon për të pasur programin e parë AI për prokurimet publike. Nëse rezulton i suksesshëm, do të testohet vitin e ardhshëm dhe do të hyjë në punë në vitin 2028”, tha ai.

Rama theksoi se teknologjia do të luajë një rol të rëndësishëm edhe në sektorë si shëndetësia dhe arsimi, ndërsa solli si shembull digjitalizimin e shërbimeve publike.

Sipas tij, procesi i digjitalizimit ka eliminuar radhët në sportele dhe ka bërë të mundur që qytetarët, përfshirë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, të marrin shumicën e shërbimeve shtetërore përmes telefonit.

Kryeministri u ndal edhe te reforma në Kadastër, duke deklaruar se faza e radhës synon ndërtimin e një sistemi që do të eliminojë përfundimisht problemet historike të këtij institucioni.

Ai vlerësoi gjithashtu progresin në arsim, duke theksuar se proceset si Matura Shtetërore tashmë zhvillohen pa problematikat që kanë shoqëruar vitet e mëparshme, falë reformave dhe bashkëpunimit me Bashkimin Evropian.




Comments are closed.