×
Tuesday, July 21, 2026

Balla: Nuk ka shpjegim vote kur ka një votim për çështje të ndryshimit të rendit të ditës

July 20, 2026


Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla kundërshtoi shpjegimin e votës pas votimit për ndryshimin e rendit të ditës, nga ana e deputetëve të opozitës sot në seancë, duke theksuar se Rregullorja e Kuvendit e ndalon një procedurë të tillë. Sipas tij, për çështjet procedurale sqarimet “pro” dhe “kundër” bëhen vetëm përpara votimit, ndërsa pas votimit kjo e drejtë nuk ekziston. Balla paralajmëroi se lejimi i një praktike të tillë mund të krijojë precedent të gabuar në funksionimin e Kuvendit.

Fjala e plotë:

E kërkova fjalën për procedurë për të sqaruar një moment, sepse abuzimi me rregulloren mund të kthehet edhe në këtë pikë si një “jetë normale” parlamentare. Pra, që të jetë e qartë: nuk ka shpjegim vote kur ka një votim për çështje të ndryshimit të rendit të ditës, pra neni 31, fraksion 2, dhe 49-3 për çështje të procedurës. Të lutem, pra, të lutem. Ne e kemi qartësuar këtë në rregullore dhe është nga ato rastet tipike kur sqarimi i votës bëhet përpara votimit dhe jo pa shkak kemi një “pro” dhe një “kundër” përpara votimit. Në momentin që ti sqaron që je kundër përpara votimit, pas votimit, për çfarë do të sqarosh prapë që ishe kundra?
Shpjegimi i votës “kundra” bëhet vetëm në rastin e votimit të amendamenteve, jo në rastin e çështjeve të procedurës. Pra, 49-3 për çështjet e procedurës është shumë i qartë: ta bën pjesën e sqarimit përpara, përpara se të shkosh në votim. Dhe këtu u bë, ishte një sqarim “pro” nga ana jonë që nuk u bë, sepse u njësua me pjesën e parë të prezantimit, dhe një sqarim “kundër” nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Kjo historia që hyjmë në një, në një rrugë pa krye, që çdo deputet më pas të shpjegojë edhe votën “kundra”, e kam për merak, jo për sot, se sot iku, por e kam për merak që mos kthehet në rrugë në momente të tjera. A, kur ka një amendament, dhe ne e dimë se si bëhet, e kemi pasur madje në rregulloren e vjetër, e kemi pasur më të zgjeruar, e kemi ndryshuar ndër vite, kemi ardhur në një model më të reduktuar. Faleminderit, kryetar.




Comments are closed.