×
Tuesday, July 21, 2026

Rama: Rritja ekonomike na lejon të mbështesim më shumë shtresat në nevojë

July 20, 2026


Kryeministri Edi Rama deklaroi se rritja e qëndrueshme ekonomike e Shqipërisë gjatë viteve të fundit po krijon më shumë hapësira financiare për të mbështetur kategoritë më në nevojë, duke veçuar fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara.

Gjatë një vizite në Qendrën Sociale “Jonathan”, ku zhvilloi një bashkëbisedim me nëna dhe stafin që kujdeset për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara, Rama foli për vendimin e qeverisë për dyfishimin e mbështetjes ekonomike për këtë kategori, si dhe për garancitë e reja shëndetësore dhe shoqërore për kujdestarët e tyre.

Kryeministri theksoi se zhvillimi ekonomik duhet të reflektohet drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve që kanë më shumë nevojë për mbështetje.

“Që të bëjmë më shumë, duhet të rrisim më shumë mundësitë. Që të rrisim më shumë mundësitë, duhet të rrisim ekonominë. Që të rrisim ekonominë, duhet të rrisim investimet. Që të rrisim investimet, duhet të krijojmë besueshmëri më të madhe. Që të krijojmë besueshmëri më të madhe, duhet të kemi një kuptim më të drejtë të gjithë së bashku të gjërave”, u shpreh Rama.

Ai nënvizoi se qeveria nuk punon me logjikën e fushatave elektorale, por me angazhime të vazhdueshme për përmirësimin e politikave sociale.

“Ndarja që unë gjithmonë përpiqem të bëj është se ata që janë në pamundësi fizike ose mendore janë ata që kanë më shumë nevojë. Nuk është më në nevojë dikush që nuk do të punojë dhe kërkon vetëm ndihmën ekonomike. Është më në nevojë ai që nuk ka mundësi fizike”, deklaroi kryeministri.

Duke folur për dyfishimin e ndihmës ekonomike për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara, Rama tha se ky ishte një angazhim i marrë nga qeveria dhe jo një masë e lidhur me fushata politike.

“Ne nuk kemi fushatë, por ishte një zotim që e morëm dhe e bëmë”, tha ai.

Kryeministri u ndal edhe te bonusi për pensionistët, duke kujtuar se qeveria vendosi ta shpërndajë edhe këtë vit, megjithëse nuk kishte një detyrim ligjor për ta bërë.

“Ne nuk e kishim detyrim që të jepnim bonusin për pensionistët përsëri, ato 50 eurot për secilin. Pensionistët e dinë vlerën e atyre 50 eurove që marrin ekstra. Ishte një e ardhur nga ekonomia që u rrit përtej parashikimeve dhe ne vendosëm ta kthenim tek ata”, u shpreh Rama.

Duke komentuar rritjen e çmimeve të karburanteve si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme, kryeministri tha se të ardhurat shtesë të krijuara nga rritja e çmimit të naftës janë përdorur për financimin e bonusit për pensionistët.

“Çfarë kemi marrë nga rritja e çmimit të naftës ia kemi dhënë pensionistëve te ai bonus. Ata që kanë paguar një naftë më të shtrenjtë si rezultat i krizës në rripin e Hormuzit, e kanë paguar drejtpërdrejt për pensionistët”, deklaroi Rama.

Ai shtoi se qeveria do të vijojë të përdorë të ardhurat shtesë të krijuara nga rritja ekonomike për të mbështetur shtresat më të ndjeshme të shoqërisë, duke theksuar se gjithmonë ka vend për të bërë më shumë.




Comments are closed.