×
Tuesday, July 21, 2026

Andy Burnham nis ndryshimet në qeveri, largohet ministri për Marrëdhëniet me BE-në

July 20, 2026


Ministri britanik për Marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, Nick Thomas-Symonds, ka njoftuar largimin nga qeveria pas riorganizimit të kabinetit të ndërmarrë nga kryeministri i ri, Andy Burnham.

Deputeti i Torfaen konfirmoi dorëheqjen në një letër drejtuar Burnham, ku shkroi se po largohej nga detyra “pas bisedës sonë”, ndërsa i shprehu kryeministrit të ri mbështetjen e plotë.

Thomas-Symonds ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish-kryeministrit Keir Starmer dhe drejtonte procesin e rivendosjes së marrëdhënieve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian. Në cilësinë e ministrit të Zyrës së Kabinetit, ai mbulonte gjithashtu çështje si hetimet publike dhe reforma e shërbimit civil.

Largimi i tij vjen në një moment të rëndësishëm për negociatat mes Londrës dhe Brukselit.

Përpara dorëheqjes së Starmer, ishte planifikuar që më 22 korrik të zhvillohej samiti Mbretëri e Bashkuar–BE, ku do të përmbylleshin bisedimet për një sërë marrëveshjesh, përfshirë bashkëpunimin në sektorin agro-ushqimor, skemën e lëvizshmërisë për të rinjtë dhe lidhjen e sistemeve të tregtimit të emetimeve.

Starmer synonte ta përdorte këtë takim si pikënisje për një afrim më të madh mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian. Megjithatë, pas largimit të tij nga detyra, samiti u shty dhe pritet të zhvillohet më vonë gjatë këtij viti, tashmë me një ministër të ri përgjegjës për negociatat.

Në letrën e dorëheqjes, Thomas-Symonds i kërkoi pasuesit të vijojë procesin e nisur për afrimin me BE-në.

“Shpresoj që të vazhdoni negociatat që kam nisur për pjesëmarrjen e Mbretërisë së Bashkuar në tregun e brendshëm të energjisë elektrike të BE-së dhe të zbatoni shtyllat kryesore të marrëveshjes së përbashkët: marrëveshjen për ushqimin dhe pijet, lidhjen e sistemeve të tregtimit të emetimeve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së, si dhe Skemën e Përvojës për të Rinjtë, e cila do t’u krijojë mundësi të rinjve për të udhëtuar, punuar dhe studiuar në të gjithë Evropën”, shkroi ai.

Menjëherë pas emërimit të Andy Burnham si kryeministër, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri të ditur se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me të, të cilën e cilësoi “shumë të mirë”.

Sipas Von der Leyen, të dy palët janë të angazhuara për të afruar edhe më shumë Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar.

“Do të punojmë së bashku për një samit të suksesshëm që do të sjellë përfitime për bizneset tona, të rinjtë dhe sigurinë tonë të përbashkët. Gjithashtu do të vazhdojmë bashkëpunimin e shkëlqyer në mbështetje të Ukrainës. Evropa është më e fortë kur Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar punojnë krah për krah”, u shpreh presidentja e Komisionit Evropian.




Comments are closed.