×
Tuesday, July 21, 2026

Bllokimi i Kuvendit, Peleshi-opozitës: Nuk jemi në arenë gladiatorësh, jemi këtu për të përplasur mendimet, jo kokat

July 20, 2026


Seanca plenare u përfshi sërish nga tensionet këtë të hënë, pasi deputetët e opozitës vijuan të bllokojnë foltoren edhe pas rikthimit nga pushimi i parë, duke penguar raportimin e Avokatit të Popullit.

Situata në sallë mbeti e pandryshuar, ndërsa kryetari i seancës, Niko Peleshi, u bëri disa herë thirrje deputetëve të opozitës të lirojnë podiumin dhe të lejojnë zhvillimin normal të punimeve.

“Nuk e kemi arenë gladiatorësh Parlamentin. Lironi foltoren! Takojeni pas raportimit. Mos ua impononi mendimin tuaj kolegëve të tjerë që janë ulur dhe po presin të dëgjojnë raportin. Mos u bëni pengesë e zbatimit të Kushtetutës. Ju lutem, uluni!”, deklaroi Peleshi.

Ai theksoi se Kuvendi ka detyrimin kushtetues të dëgjojë raportimin e institucioneve të pavarura dhe se askush nuk mund të imponojë rendin e ditës me forcë.

“Ka të tjerë që e njohin! Në këtë sallë jeni të detyruar të respektoni rregulloren dhe detyrimin e institucioneve të raportojnë. Uluni, nuk jeni këtu për forcën fizike! Nuk jemi këtu për përleshje! Jemi për të përplasur mendimet, jo kokat! Pa dëgjuar raportin, nuk mund të diskutojmë në ajër! Nuk ka shans t’i impononi Kuvendit rendin e ditës”, u shpreh ai.

Për shkak të bllokimit të vazhdueshëm të foltores, drejtuesi i seancës vendosi ndërprerjen e punimeve për herë të dytë, duke shpallur një tjetër pushim pesëminutësh, në përpjekje për të rikthyer normalitetin në Kuvend.




Comments are closed.