Balla në Bago të Kavajës: Investimet në vaditje, legalizimet dhe pensionet mbeten prioritete të qeverisë
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun Tiranë, Taulant Balla, zhvilloi një bashkëbisedim me banorët e fshatit Bago në Kavajë, ku diskutoi për çështjet që prekin jetën e përditshme të komunitetit, zhvillimin e bujqësisë, procesin e legalizimeve dhe mbështetjen për pensionistët.
Gjatë takimit Balla theksoi se falë investimeve të qeverisë së drejtuar nga Edi Rama është rikthyer vëmendja ndaj sistemit të vaditjes, duke bërë të mundur rikthimin nën ujë të rreth 300 mijë hektarëve tokë bujqësore në të gjithë vendin.
Ai u ndal edhe te problematika e ujitjes në zonën e Bagos, duke garantuar se investimet do të vijojnë me qëllim rikthimin e furnizimit me ujë për fermerët e zonës.
Balla u ndal edhe tek procesi i legalizimeve ku vlerësoi progresin e arritur ndër vite, duke theksuar se janë shpërndarë mbi 300 mijë leje legalizimi në të gjithë Shqipërinë.
“Janë mbi 300 mijë leje legalizimi të shpërndara në Shqipëri. Kur erdhëm në qeverisje në vitin 2013 gjetëm vetëm 22 mijë. Kanë mbetur edhe rreth 70 mijë objekte që mund të legalizohen, ndërsa për ato që nuk mund të legalizohen për shkak të vendndodhjes së tyre, kemi garantuar me ligj që familjet të kompensohen nëse preken nga investimet publike”, theksoi ai.
Në vijim të bashkëbisedimit me banorët, Balla u ndal edhe te mbështetja për pensionistët, duke nënvizuar se qeveria vijon të financojë skemën e pensioneve me fonde të konsiderueshme nga buxheti i shtetit.
“Çdo e ardhur më shumë që do të vijë nga turizmi do të shkojë për pensionet”, deklaroi Balla, duke ritheksuar angazhimin e qeverisë për të përmirësuar mirëqenien e pensionistëve”, tha Balla.







