×
Wednesday, April 29, 2026

Albana Koçiu dhe Andis Salla: Bujqësia shqiptare drejt suksesit në tregjet ndërkombëtare

April 29, 2026


Në fshatin Dushk, një sipërmarrje e ngritur mbi punën familjare dhe përkushtimin ndaj cilësisë po dëshmon potencialin e madh të bujqësisë shqiptare për të depërtuar në tregjet ndërkombëtare.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu dhe ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilluan një vizitë në pikën e grumbullimit dhe përpunimit të ullirit, të ngritur nga sipërmarrësi Sami Debrova.

Gjatë kësaj vizite, Koçiu e cilësoi këtë investim si një shembull konkret të suksesit që mund të arrihet në bujqësi përmes punës, inovacionit dhe mbështetjes institucionale.

“Është frymëzuese të shohësh se si përmes punës dhe mbështetjes konkrete nga Qeveria Shqiptare, ky biznes familjar është transformuar në një sipërmarrje që sot konkurron me cilësi në tregjet ndërkombëtare, duke u kthyer në një motor zhvillimi për të gjithë qarkun e Elbasanit”, u shpreh ajo.

Sipas zëvendëskryeministres, e ardhmja e bujqësisë shqiptare lidhet drejtpërdrejt me standardin dhe cilësinë, elementë që ndërtohen çdo ditë nga fermerët dhe sipërmarrësit në terren.

Në këtë pikë përpunimi, ulliri – një nga produktet më karakteristike të zonës – trajtohet si një produkt me vlerë të shtuar, duke kaluar nga një lëndë e parë në një mall të përgatitur për eksport. Investimet në teknologji dhe përmbushja e standardeve kanë bërë të mundur që produktet të jenë konkurruese në tregjet e huaja.

Prej vitit 2008, Sagelo Olive merret me grumbullimin, paketimin dhe konservimin e ullinjve dhe turshive, duke ruajtur edhe elementë të metodave tradicionale të përpunimit. Me një kapacitet prej rreth 4,000 kuintalë në vit dhe një staf prej rreth 9 punonjësish, kjo sipërmarrje ka krijuar një rrjet të qëndrueshëm bashkëpunimi me fermerët e zonës.

Ministri Andis Salla theksoi se produktet e kësaj kompanie eksportohen në tregje të rëndësishme si SHBA, Anglia, Zvicra dhe Gjermania, duke e kthyer këtë sipërmarrje në një model të suksesshëm të agropërpunimit dhe promovimit të produkteve “Made in Albania” në arenën ndërkombëtare.

Ky rast konsiderohet një shembull i qartë i potencialit që ka bujqësia shqiptare për të krijuar vlerë të shtuar dhe për të ndërtuar histori suksesi përtej kufijve të vendit.




Comments are closed.