A do t’i tregojë Joe Biden vendin autokratit Vladimir Putin?


Nga Garry Kasparovm, The Wall Street Journal
Unë isha një nga anëtarët e opozitës ruse që u takova me zëvendëspresidentin e atëhershëm Joe Biden në rezidencën e ambasadorit amerikan në Moskë më 10 mars 2011. Biden erdhi atje menjëherë pas takimit të tij me kryeministrin e atëhershëm Vladimir Putin, që siç e dinim, ishte duke u përgatitur për t’u kthyer në karrigen e presidentit pasi ia huazoi atë përkohësisht marionetës së tij, Dmitry Medvedev.
“Unë i thashë Putinit që të mos kandidojë përsëri për president, pasi kjo do të dukej keq për Rusinë dhe për të”- deklaroi Biden. Sinqeriteti i madh i zëvendëspresidenti i alarmoi kolegët e tij amerikanë, të cilët ishin dukshëm të pakënaqur që në fillim të bisedës.https://ads.gogel.al/www/delivery/afr.php?zoneid=105&target=_blank&cb=INSERT_RANDOM_NUMBER_HERE
Unë e theva heshtjen e sikletshme dhe i thashë se për Putinin, Biden dhe presidenti Obama ishin si lypës që duhej të shkonin në Kongres për çdo qindarkë, ndërsa Putini mund të merrte nga arka e shtetit miliarda rubla sipas dëshirës. Unë i theksova se Putin nuk interesohej aspak për Rusinë ose mbi mënyrën se si shiheshin gjërat jashtë vendit.
Kur Biden u zgjodh president, unë shpresoja që ai do të mësonte nga mësimet e dhimbshme të kohëve të fundit, dhe do të zbatonte një politikë më muskulore ndaj Moskës sesa dy paraardhësit e tij të dobët. Deri më tani, shpresat dhe këshillat e mia janë njëlloj si këshillat që i dhashë Biden mbi Putinin në vitin 2011.
Unë e kam kritikuar idenë e një samiti midis udhëheqësit të botës së lirë dhe diktatorit të një shteti mafioz terrorist, i planifikuar për në datën 16 qershor në Gjenevë. Ne e dimë shumë mirë se çfarë përfiton Putin nga takime të tilla.
Pa zgjedhje të vërteta, autoriteti i një diktatori buron nga kontrolli i pushtetit prej tij – atij ushtarak, sigurisë së brendshme dhe ekonomike. Një samit me presidentin e SHBA-së, dërgon mesazhin se pavarësisht shumë gjërave të këqija në Rusi, dhe pa marrë parasysh se sa sanksione vendos Perëndimi, Putin është ende bosi.
Kjo u konfirmua më tej kur administrata Biden hoqi dorë nga sanksionet mbi projektin e gazsjellësit “Nord Stream 2” midis Rusisë dhe Gjermanisë. Ky akt ishte një mbështetje e heshtur ndaj investimit të Putin, pavarësisht nga protesta globale për burgosjen e liderit të opozitës Alexei Navalny, vrasjeve të kryera nga agjentët rusë në Gjermani dhe Britani, dhe ndërhyrjeve në proceset zgjedhore dhe sulmet kibernetike pothuajse kudo tjetër.
Ajo që ne nuk dimë është çfarë do të përfitojnë Shtetet e Bashkuara nga ky samit. Historia ka treguar herë pas here se ulja e toneve me një diktator, vetëm sa e bind atë që t`i vetë je shumë i dobët për ta kundërshtuar atë, duke provokuar kësisoj një agresion të mëtejshëm nga ana e tij.
Dhe Putin po i përshkallëzon tashmë veprimet e tij, përmes një sulmi të ri kibernetik ndaj një agjencie amerikane të zbuluar të premten e javës së kaluar, dhe mbrojtjes së diktatorit bjellorus Alexander Lukashenko.
Me uljen e detyruar të avionit të linjës “Ryanair”, dhe rrëmbimin e gazetarit opozitar Roman Protasevich, Lukashenko i tregoi botës së lirë se normat dhe rregulloret e saj janë të brishta dhe të keq-përgatitura për t’u përballur me ata që sfidojnë rregullat e saj.
Në pushtet që nga viti 1994, madje edhe më shumë se sa 21 vitet e Putin, Lukashenko pati kënaqësinë të deklaronte në vitin 2015 se ai “nuk ishte më diktatori i fundit i Evropës”, pasi Putin e aneksoi Krimenë dhe pushtoi Ukrainën Lindore. Në përgjithësi, regjimi brutal i Bjellorusisë u injorua derisa shpërthyen protestat e mëdha popullore pas zgjedhjeve presidencale të gushtit 2020, të cilat u përballën me një dhunë të tmerrshme nga regjimi.
Akti piratesk i Lukashenkos kundër një linje ajrore të Bashkimit Evropian, po quhet si një akt përshkallëzues, por a është vërtetë i tillë? Forcat e Putinit në Ukrainë rrëzuan me një raketë në vitin 2014avionin malajzian të pasagjerëve, duke vrarë të 298 personat në bord.
E çfarë çmimi pagoi ai për atë krim?Fokusi im është tek Putin dhe Biden, pasi Lukashenko është një kukull e Putinit, ashtu si Bashar Al-Assad në Siri. Pa miratimin dhe mbështetjen e Putinit, Lukashenko nuk do të përfshihej kurrë në një përplasje kaq të pacipë me Evropën.
Nëse Putin nuk do ta kishte mbështetur Lukashenkon vitin e kaluar, pushtetin do ta kishte marrë presidentja e ligjshme e Bjellorusisë, Svetlana Tikhanovskaya. Ndërkohë, kjo e fundit ka mërguar në Lituani, aty ku jetonte edhe Roman Protasevich para se të rrëmbehej në aeroportin e Minskut.
Ashtu si me aneksimin e Krimesë dhe mbështetjen ndaj Assad dhe armëve të tij kimike, sulmet e Putin janë drejtuar kundër rendit ndërkombëtar, agjencive dhe aleancave që e mbajnë në këmbë atë. Në mungesë të udhëheqjes amerikane, Evropa është treguar e pafuqishme dhe e pafat në mbrojtjen e vetvetes dhe vlerave të saj.
Plani i Putinit për të përçarë dhe sunduar ka funksionuar shumë mirë në Evropë, ku interesat kombëtarë e minojnë gjithmonë qasjen e ashpër që mund të ketë Brukseli ndaj Moskës. SHBA nuk kërkon asgjë tjetër nga Rusia, përveçse që Putin të ndërpresë fushatat e tij globale të pushtimit, vrasjeve, piraterisë dhe ndërhyrjeve në zgjedhjet amerikane.
Meqenëse ai nuk do të ndalet së bëri këto derisa të ndalet me mjete të tjera, atëherë kurseni kohë dhe përpjekje dhe thjesht pyeteni atë përmes platformës“Zoom”. Unë kam frikë se metoda “përça dhe sundo”, mund të zbatohet edhe për administratën e Joe Biden, ku figura si John Kerry preferojnë më shumë dukjen sesa përmbajtjen.
Perëndimi mund të angazhohet të ndëshkojë rëndë Lukashenkon për skandalin me avionin e “Ryanair”. Nëse regjimi bjellorus nuk ndëshkohet fort, unë nuk do të ndihesha i sigurt duke fluturuar mbi hapësirën ajrore. Dhe derisa të lirohet zoti Protasevich, asnjë disident nuk duhet të ndihet i sigurt askund.
Një ditë pas arrestimit të tij, këshilltari i sigurisë kombëtare të presidentit Biden, Jake Sullivan, u takua me kolegun e tij rus Nikolay Patrushev, për të përgatitur samitin Biden-Putin. Ata folën për “normalizimin” e raporteve mes 2 vendeve.
Por normalizimi i marrëdhënieve me një diktaturë, vetëm sa e normalizon diktaturën. Po, siç nxitojnë të përgjigjen me shpejtësi mbështetësit e Biden, edhe Ronald Reagan u takua dikur me sovjetikët. Por ai e bëri këtë me kërkesa konkrete të sigurisë kombëtare dhe globale, dhe nga pozicioni i superfuqisë.
Deri më tani nuk ka një axhendë të tillë për takimin e ardhshëm Biden-Putin. Dhjetë vjet më parë në Moskë, Biden kishte nerva që t’i fliste ashpër Putinit, por atij i mungonte autoriteti. Sot ai është në krye të SHBA-së dhe duhet të provojë se nuk e ka humbur atë nerv. /Përktheu: Alket Goce-abc
Shënim: Garry Kasparov, është kryetar i Nismës për Ripërtëritjen e Demokracisë dhe Fondacionit për të Drejtat e Njeriut.
Eunews.al
