Rubio paralajmëron për Serbinë: E përfshirë në çështje potencialisht problematike dhe shpërthyese

24 Sep 2026 14:16
Shpërndaje:

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se Serbia është e përfshirë në disa çështje “potencialisht problematike dhe shpërthyese”, të cilat kanë tërhequr vëmendjen ndërkombëtare.

Rubio i bëri komentet në Nju Jork, pas takimit me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Serbia është e përfshirë në disa çështje që janë potencialisht problematike dhe shpërthyese dhe që kanë interes ndërkombëtar”, deklaroi kryediplomati amerikan.

Reklamë Ola

Rubio nuk specifikoi se cilave çështje po u referohej. Në të njëjtën kohë, ai dha një mesazh pozitiv për marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Beogradit, duke e cilësuar raportin me Serbinë si një partneritet strategjik që SHBA dëshiron ta thellojë.

“Është një partneritet strategjik që duam ta thellojmë dhe synojmë ta bëjmë këtë, ndërkohë që menaxhojmë disa nga çështjet potenciale që mund të shfaqen”, tha Rubio.

Reklamë InterMedika

Sekretari amerikan i Shtetit bëri të ditur se përfaqësues të Departamentit të Shtetit dhe agjencive të tjera të qeverisë amerikane kanë vizituar tashmë Serbinë, ndërsa shprehu dëshirën që edhe ai të udhëtojë drejt Beogradit.

“Shpresoj që edhe unë të kem mundësinë ta vizitoj”, deklaroi ai.

Komentet e Rubios vijnë rreth dy muaj pasi SHBA dhe Serbia nisën Dialogun e tyre të parë Strategjik në Uashington, një mekanizëm që synon zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Në të njëjtën kohë, marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë, procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën dhe çështjet që lidhen me sundimin e ligjit dhe orientimin e politikës së jashtme të Beogradit vazhdojnë të jenë pjesë e vëmendjes ndërkombëtare. Rubio, megjithatë, nuk tha nëse deklarata e tij për çështjet “problematike dhe shpërthyese” lidhej konkretisht me ndonjërën prej tyre.