Eurodeputetja gjermane Terry Reintke ka deklaruar se në Parlamentin Europian ekziston mbështetje e gjerë që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Europian sa më shpejt, por ka theksuar se procesi i integrimit duhet të shoqërohet me respektimin e standardeve mjedisore, demokratike dhe të shtetit të së drejtës.
“Në Parlamentin Europian duam patjetër që Shqipëria të jetë pjesë e BE-së sa më shpejt, por duke garantuar në proces standardet mjedisore dhe demokratike”, u shpreh Reintke.
Eurodeputetja, e cila është bashkëkryetare e Grupit të të Gjelbërve/Aleancës së Lirë Europiane në Parlamentin Europian, u ndal veçanërisht te zhvillimet në zonat e mbrojtura. Ajo kërkoi vendosjen e një moratoriumi për planet e zhvillimit në këto zona dhe përafrimin e kuadrit ligjor shqiptar me legjislacionin mjedisor të Bashkimit Europian.
“Kërkesat tona janë të qarta, kërkojmë një moratorium për të gjitha planet e zhvillimit në zonat e mbrojtura”, deklaroi Reintke.
Sipas saj, mënyra se si po zhvillohen disa projekte ka ngritur pikëpyetje për përputhshmërinë me legjislacionin shqiptar dhe atë europian, çështje që mund të ketë ndikim edhe në procesin e anëtarësimit.
Reintke e lidhi këtë debat veçanërisht me Kapitullin 27 të negociatave, që përfshin mjedisin dhe ndryshimet klimatike. Ajo tha se përafrimi i legjislacionit për zonat e mbrojtura me standardet e BE-së është një kërkesë afatgjatë e ngritur në nivel europian.
Eurodeputetja theksoi se debati nuk lidhet vetëm me mbrojtjen e mjedisit, por edhe me standardet demokratike, pjesëmarrjen e publikut në projektet e mëdha infrastrukturore dhe respektimin e shtetit të së drejtës.
Reintke sqaroi se qëndrimi i të Gjelbërve nuk synon të pengojë zhvillimin e turizmit apo ndërtimin e infrastrukturës turistike në Shqipëri.
“Ne po shohim që është një sektor në rritje i ekonomisë së Shqipërisë dhe, duke qenë se Shqipëria është një vend fantastik, duhet të zhvillohet, por sipas standardeve garantuese mjedisore, ligjeve, procedurave demokratike dhe standardeve kundër korrupsionit”, tha ajo.
Në përfundim, Reintke përsëriti mbështetjen për perspektivën europiane të vendit, duke theksuar se qytetarët shqiptarë duhet të përfitojnë nga mbrojtja e të drejtave dhe standardeve që lidhen me procesin e anëtarësimit.
“Qytetarët shqiptarë meritojnë që në procesin e anëtarësimit në BE të drejtat e tyre të mbrohen”, deklaroi eurodeputetja, duke shtuar se Parlamenti Europian do të mbështesë përparimin e Shqipërisë, ndërsa njëkohësisht do të kërkojë përmbushjen e kritereve përkatëse.


