Nënkryetari ekzekutiv i Komisionit Evropian, Raffaele Fitto, deklaroi nga Lecce se Shqipëria dhe Mali i Zi ndodhen në një fazë të avancuar të procesit të integrimit dhe janë në pararojë të vendeve që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Gjatë fjalës së tij, Fitto vlerësoi rëndësinë e programeve të bashkëpunimit ndërkufitar, duke veçuar programin Interreg mes Pulias, Shqipërisë dhe Malit të Zi.
“Kemi, për shembull, programin Interreg mes Pulias, Shqipërisë dhe Malit të Zi, i cili nuk është zgjedhur rastësisht, sepse Shqipëria dhe Mali i Zi ndodhen padyshim në një fazë shumë të avancuar sa u përket rezultateve të arritura për t’u anëtarësuar së shpejti në familjen evropiane”, deklaroi ai.
Sipas përfaqësuesit të lartë të Komisionit Evropian, një Bashkim Evropian me 27 vende anëtare nuk është më i mjaftueshëm për t’iu përgjigjur sfidave ndërkombëtare. Për këtë arsye, ai e cilësoi zgjerimin si një zgjedhje të domosdoshme për forcimin e projektit evropian.
Fitto kujtoi se nëntë vende janë aktualisht të interesuara për procesin e zgjerimit, duke theksuar se integrimi i tyre duhet të konsiderohet një element thelbësor për të ardhmen e Bashkimit Evropian.
“Evropa duhet të matet në nivel global. Konkurrentët e saj janë Kina dhe Shtetet e Bashkuara në veçanti, prandaj zgjerimi është një element konsolidimi dhe forcimi i projektit evropian”, tha Fitto.
Në aktivitet foli edhe ambasadorja Bitri, e cila deklaroi se objektivi i qeverisë shqiptare është anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. Sipas saj, ky synim gëzon mbështetjen e rreth 90 për qind të qytetarëve shqiptarë.


