Pavarësisht se forcat politike nuk arritën konsensus për ndarjen e re territoriale në Komisionin e Posaçëm parlamentar, mazhoranca ka vendosur të avancojë me projektin e saj. Drafti pritet të nisë të hënën shqyrtimin në Komisionin e Ligjeve.
Diskutimet në komision parashikohet të zgjasin më shumë se dy javë, ndërsa mazhoranca synon që projektligji të miratohet përfundimisht në seancën plenare të 8 tetorit.
Propozimi i shumicës parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, duke shkrirë 15 prej tyre. Sipas mazhorancës, riorganizimi territorial do të rrisë kapacitetet administrative dhe do të përmirësojë cilësinë e shërbimeve për qytetarët.
Opozita e ka kundërshtuar draftin dhe kërkon anulimin e tij. Partia Demokratike propozon një model të kundërt, duke kërkuar që numri i bashkive të rritet nga 61 në 100.
Përfaqësuesit e opozitës pretendojnë se ndryshimi i hartës në mënyrë të njëanshme synon t’i japë avantazh Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme vendore. Mazhoranca i ka hedhur poshtë këto akuza, duke argumentuar se reforma mbështetet te nevoja për administrim më efikas dhe ofrim më të mirë të shërbimeve publike.
Nëse harta e re territoriale miratohet vetëm me votat e mazhorancës, kjo do të jetë reforma e dytë e kësaj natyre që Partia Socialiste voton pa dakordësinë e opozitës, pas ndarjes administrativo-territoriale të vitit 2014.
Për miratimin e projektligjit kërkohet një shumicë e cilësuar prej të paktën 84 votash në Kuvend.


