Nëntë vende evropiane, mes tyre Franca, Greqia, Italia dhe Portugalia, kanë kërkuar më shumë kohë për zbatimin e plotë të sistemit të ri të hyrje-daljeve EES.
Gjermania, Malta, Holanda, Zvicra dhe Belgjika kërkojnë gjithashtu shtyrje, për shkak të problemeve teknike dhe rrezikut të krijimit të radhëve të gjata në aeroporte dhe pika kufitare.
EES regjistron gjurmët e gishtërinjve dhe imazhet e fytyrës së udhëtarëve nga vendet jashtë BE-së. Sistemi synon të identifikojë personat që tejkalojnë afatin e lejuar të qëndrimit ose përdorin dokumente të falsifikuara.
Sipas burimeve të BE-së, deri tani janë regjistruar rreth 200 milionë hyrje dhe rreth 70 mijë personave u është refuzuar hyrja në zonën Shengen.
Problemet më të mëdha janë evidentuar në disa aeroporte të vogla dhe pika kufitare me kapacitete të kufizuara. Edhe kompanitë ajrore kanë paralajmëruar se procedurat biometrike mund të shkaktojnë vonesa dhe humbje të fluturimeve lidhëse.


