Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa të shtuara sigurie për zhvillimet e parashikuara më 16 shtator, kur Dhomat e Specializuara në Hagë pritet të shpallin aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Masat synojnë garantimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe mbarëvajtjen e tubimeve dhe aktiviteteve që mund të organizohen gjatë kësaj dite.
Në kuadër të përgatitjeve, drejtuesit e Policisë zhvilluan një takim informues dhe koordinues me drejtorët e departamenteve, divizioneve dhe drejtorive rajonale.
Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të KFOR-it, EULEX-it, Ambasadës amerikane, Zyrës së Bashkimit Europian dhe OSBE-së.
“Gjatë takimit u prezantuan plani dhe angazhimet policore lidhur me zhvillimet e parashikuara që ndërlidhen me datën 16 shtator”, thuhet në njoftim.
Policia bëri të ditur se do të angazhojë njësitë e nevojshme për të garantuar sigurinë e të gjithë qytetarëve pa dallim dhe që aktivitetet të zhvillohen të qeta dhe pa incidente.
Në varësi të tubimeve dhe zhvillimeve në terren, mund të vendosen kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët e prekura.
Njësitë e Policisë Rrugore do të jenë në gatishmëri për të orientuar automjetet drejt akseve alternative, nëse një masë e tillë bëhet e nevojshme.
Policia u bëri thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve në aktivitete që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve, të tregojnë kujdes dhe të kontribuojnë në ruajtjen e qetësisë.
Sipas njoftimit, hartimi dhe zbatimi i planeve të sigurisë në rastet kur priten tubime ose pjesëmarrje e lartë qytetarësh janë pjesë e procedurave të zakonshme policore.
“Zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin kushtetues dhe sigurinë publike në vend”, përfundon komunikata.


