Kosova ka zyrtarisht një qeveri të re. Kuvendi miratoi kabinetin e drejtuar nga Albin Kurti me 62 vota pro dhe tetë kundër, duke i dhënë liderit të Lëvizjes Vetëvendosje një mandat të ri në krye të ekzekutivit.
Votimi u zhvillua gjatë një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit, të thirrur vetëm pak orë pas mandatimit të Kurtit për formimin e qeverisë. Procesi pasoi konstituimin e legjislaturës së 11-të dhe zgjedhjen e strukturave drejtuese të parlamentit.
Në sallë ishin të pranishëm 70 deputetë. Qeveria e re mori votat e deputetëve të Vetëvendosjes, Listës Serbe dhe përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë.
Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk morën pjesë në seancën ku u votua kabineti.
PDK-ja dhe AAK-ja e cilësuan procesin si jokushtetues, ndërsa LDK-ja kishte deklaruar më herët se nuk do ta mbështeste formimin e një qeverie tjetër të drejtuar nga Albin Kurti.
Me marrjen e votëbesimit në Kuvend, kabineti i ri nis zyrtarisht ushtrimin e mandatit, pas një procesi të shoqëruar nga mosmarrëveshje mes partive për konstituimin e institucioneve.


