Komisioni Evropian do të prezantojë më 30 shtator një qasje të re dhe më ambicioze për integrimin gradual të vendeve kandidate, me fokus te sektorët strategjikë, siguria ekonomike dhe aftësia e Bashkimit Evropian për të funksionuar pas zgjerimit.
Detajet u bënë të ditura nga komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë një takimi të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Sipas saj, vendet kandidate duhet të përfshihen gradualisht në sektorët që do të përcaktojnë zhvillimin e Evropës gjatë dekadave të ardhshme, mes tyre energjia, transporti, lëndët e para kritike, rrjetet digjitale dhe infrastruktura e inteligjencës artificiale.
“Komisioni Evropian do të prezantojë një qasje më ambicioze ndaj integrimit gradual. Duhet të përqendrohemi veçanërisht në sektorët strategjikë që do ta formësojnë kontinentin tonë për dekada të tëra”, deklaroi Kos.
Komisionerja paralajmëroi se vendimet e marra sot do të përcaktojnë pozicionin e Evropës pas 10 ose 20 vjetësh. Ajo theksoi se vendet që synojnë anëtarësimin nuk duhet të krijojnë varësi ekonomike dhe teknologjike nga shtete të treta, interesat e të cilave mund të bien ndesh me objektivat afatgjatë të BE-së.
“Energjia, transporti, lëndët e para kritike, rrjetet digjitale dhe infrastruktura e inteligjencës artificiale janë sektorët ku nuk duhet të rrezikojmë që anëtarët tanë të ardhshëm të ndërtojnë varësi nga vende të tjera”, tha Kos.
Ajo foli edhe për shqetësimet brenda BE-së se anëtarët e rinj mund të ndikojnë negativisht në funksionimin dhe procesin vendimmarrës të Unionit.
Kos kujtoi se ishte kritikuar kur përdori për herë të parë termin “kuajt e Trojës” për vende që mund të anëtarësohen në BE, por më pas të bllokojnë vendimmarrjen nga brenda.
“Njerëzit kanë frikë se, nëse pranojmë shtete të reja, të sapoardhurit do të na shkatërrojnë nga brenda. Kur në nëntorin e kaluar përmenda termin ‘kuajt e Trojës’, u kritikova shumë nga disa vende. Tani po diskutojmë se si të krijojmë masa mbrojtëse, në mënyrë që pas pranimit të anëtarëve të rinj të vazhdojmë të jemi të aftë të marrim vendime”, u shpreh ajo.
Komisionerja theksoi se sundimi i ligjit mbetet një kusht thelbësor për zgjerimin. Sipas saj, një sistem gjyqësor funksional rrit sigurinë për investitorët e huaj dhe garanton trajtim të barabartë përpara gjykatave.
Kos argumentoi se zgjerimet e mëparshme të BE-së kanë sjellë zhvillim ekonomik dhe rritje të mirëqenies në Evropën Qendrore dhe Lindore, një rezultat që Brukseli synon ta përsërisë edhe me vendet aktuale kandidate.
Ajo solli si shembull marrëdhëniet ekonomike mes Gjermanisë dhe Polonisë, duke deklaruar se këtë vit tregtia dypalëshe mes tyre pritet të tejkalojë atë mes Gjermanisë dhe Francës.
“Kjo është për mua prova se si vende si Polonia, Sllovenia dhe Bullgaria kanë përparuar dhe se njerëzit atje po jetojnë më mirë se më parë”, tha Kos.
Përveç forcave të ekstremit të djathtë brenda Evropës, komisionerja identifikoi Rusinë dhe Kinën si dy nga sfidat kryesore të procesit të zgjerimit.
Sipas saj, Moska po përpiqet të pengojë anëtarësimin e vendeve kandidate përmes sulmeve kibernetike dhe dezinformimit. Kos përmendi Malin e Zi, duke thënë se një ditë pas njoftimit për nisjen e përgatitjeve të traktatit të pranimit u regjistrua një rritje e sulmeve kibernetike dhe e fushatave dezinformuese.
Në lidhje me Kinën, ajo tha se Pekini ndjek një strategji të ndryshme, duke investuar në vendet kandidate dhe duke pritur që kompanitë kineze të përfitojnë nga qasja në tregun e përbashkët pasi këto shtete të bëhen anëtare të BE-së.
Kos u kërkoi gjithashtu drejtuesve evropianë të angazhohen publikisht dhe politikisht në mbështetje të zgjerimit. Ajo theksoi se puna teknike e Komisionit nuk është e mjaftueshme pa vullnetin e shteteve anëtare.
“Pa shtetet anëtare dhe pa udhëheqësit e tyre që angazhohen dhe flasin pozitivisht për zgjerimin, është shumë e vështirë që unë të ec përpara”, deklaroi ajo.
Komisionerja shprehu pritshmëri të larta për mbledhjen e Këshillit Evropian në mesin e tetorit, ku pret që udhëheqësit e vendeve anëtare të ndërmarrin angazhime konkrete për të ardhmen e zgjerimit.
Në Ballkanin Perëndimor, Mali i Zi synon të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian, ndërsa Shqipëria ka vendosur si objektiv përfundimin e procesit të anëtarësimit deri në vitin 2030.


