Rama në “Flasim”: Kur Shqipëria të hyjë në BE, largohem

11 Sep 2026 21:05
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se synon të largohet nga drejtimi i qeverisë pasi Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Në një intervistë me gazetaren Rudina Xhunga në podkastin “Flasim”, Rama tha se nuk synon të qëndrojë përgjithmonë në pushtet, por vijon detyrën pasi e konsideron të hapur perspektivën evropiane të vendit.

“Nuk jam këtu për t’u bërë mbret apo për të qeverisur në përjetësi. Jam këtu sepse shoh derën e hapur të BE-së. Kur ta kapërcejmë pragun e asaj dere, ju shpëtoni nga unë”, deklaroi Rama.

Reklamë Ola

Kryeministri u pyet edhe për pasardhësin ose pasardhësen e tij në drejtimin e Partisë Socialiste dhe nëse ky person do të ishte mes figurave që e sfidojnë politikisht.

Sipas Ramës, pasardhësi nuk mund të përcaktohet nga drejtuesi aktual, por duhet të dalë vetë nga gara politike dhe të marrë drejtimin e partisë.

Reklamë InterMedika

“Ai që të sfidon dhe bëhet pasardhës duhet të të ‘vrasë’ politikisht. Pra, nuk është dikush që ti e zgjedh”, u shpreh ai.

Rama theksoi se nuk ka ndërmend të caktojë pasuesin e tij dhe shtoi se gara për drejtimin e ardhshëm të Partisë Socialiste nuk është hapur ende.

“U kam thënë të mos mendojnë se kujt i vjen radha, sepse gara nuk është hapur. Duhet t’i bëjnë hyzmet karrierës dhe figurës së tyre duke kryer detyrën”, tha kryeministri.

Ai tregoi se, kur të vijë momenti për kalimin e stafetës, synon të largohet nga drejtimi dhe ta lërë procesin të zhvillohet pa ndërhyrjen e tij.

Rama sqaroi se nuk do të largohet nga Partia Socialiste, por do të vazhdojë të jetë një anëtar i thjeshtë i saj.

“Unë nuk do ta lë PS-në. Do të jem anëtar i organizatës së Surrelit, por nuk kam ndërmend t’i ngatërrohem nëpër këmbë atij ose asaj që do të më pasojë”, deklaroi ai.

Për të shpjeguar qëndrimin e tij, kryeministri tregoi një bisedë me ish-kancelaren gjermane Angela Merkel gjatë takimit të tyre të parë në vitin 2014.

Rama tha se Merkel e kishte pyetur për situatën në opozitën shqiptare dhe për rolin e ish-drejtuesit të saj pasi ishte larguar nga kryesia.

Sipas rrëfimit të Ramës, Merkel kishte sjellë si shembull marrëdhënien e saj me ish-kancelarin Helmut Kohl, ndaj të cilit ishte mirënjohëse për mbështetjen në ngritjen e saj politike.

Megjithatë, ajo i kishte treguar se prania e Kohl pas marrjes së drejtimit të partisë e kishte vështirësuar autoritetin e saj, pasi figura të ndryshme politike konsultoheshin fillimisht me Merkelin dhe më pas me paraardhësin e saj.

“Merkel më tha se, kur vjen dita për t’u larguar, duhet të largohesh, sepse në një parti demokratike personi që vjen pas teje e ka shumë të vështirë të funksionojë nëse paraardhësi vazhdon të qëndrojë aty”, tregoi Rama.

Kryeministri përsëriti se nuk do të përfshihet në zgjedhjen e drejtuesit të ardhshëm të Partisë Socialiste dhe se pasuesi ose pasuesja duhet ta marrë vetë përgjegjësinë për drejtimin e forcës politike.

Gjatë intervistës, Rama foli edhe për projektin turistik në Zvërnec, të lidhur me vajzën dhe dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.

Ai deklaroi se nuk ka diskutuar asnjëherë me Trump për këtë investim dhe se projekti do të realizohet vetëm nëse përmbush kërkesat ligjore dhe shkencore.

“Nuk kam folur kurrë me Trump për këtë projekt. Nëse ligji dhe shkenca do ta ndalojnë, projekti në Zvërnec nuk do të bëhet”, përfundoi Rama.