Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka shprehur mbështetjen e plotë për aktivitetet që do të organizohen nga dega e saj në Shtetet e Bashkuara dhe nga mërgata shqiptare më 12 dhe 16 shtator, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Aktivitetet zhvillohen në një moment të rëndësishëm të procesit gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ndërsa sipas njoftimit, vendimi përfundimtar pritet të shpallet më 16 shtator.
“OVL-UÇK mbështet organizimin e aktiviteteve të Degës së saj në Amerikë dhe të mërgatës sonë, të cilat do të zhvillohen më 12 dhe 16 shtator, në mbështetje të çlirimtarëve tanë që po mbahen në Hagë, në këtë fazë të rëndësishme të procesit gjyqësor dhe në pritje të vendimit përfundimtar”, thuhet në njoftimin e organizatës.
Ndërkohë, në Prishtinë është paralajmëruar edhe “Marshi për Liri”, i cili do të zhvillohet më 12 shtator, duke nisur nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu”.
Aktivitetet vijnë vetëm pak ditë përpara 16 shtatorit, datë kur pritet shpallja në Hagë e aktgjykimit në çështjen ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.


