×
Sunday, July 26, 2026

BE mbështet bizneset shqiptare të përpunimit të drurit me grante deri në 100 mijë euro

July 26, 2026


Bashkimi Evropian në Shqipëri ka prezantuar një skemë të re financimi për kompanitë shqiptare të përpunimit të drurit, me synim nxitjen e investimeve në teknologji inovative dhe zhvillimin e ekonomisë qarkulluese.

Përmes programit Wood2Value, ndërmarrjet e këtij sektori do të kenë mundësi të investojnë në zgjidhje që reduktojnë mbetjet, përmirësojnë përdorimin e burimeve natyrore dhe rrisin konkurrueshmërinë e tyre në treg.

Zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë bëri të ditur se kompanitë e përzgjedhura do të mund të përfitojnë bashkëfinancim deri në 50% të kostove të pranueshme të investimit, me një mbështetje maksimale prej 100 mijë eurosh për projekt.

Sipas BE-së, skema financohet nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania dhe synon të promovojë ekonominë qarkulluese në industrinë e përpunimit të drurit, duke nxitur përdorimin më efikas të lëndës së parë dhe uljen e mbetjeve gjatë procesit të prodhimit.

Në kuadër të këtij programi është hapur edhe thirrja për aplikime. Kompanitë e interesuara mund të dorëzojnë projekt-propozimet e tyre deri më 14 gusht 2026.




Comments are closed.